Arben Bala: Për role ‘bad guy’ nuk ja zgjasë dorën askujt

Arben Bala, djali i cili qysh në moshën 13 vjeçare u largua nga Kosova për në Norvegji, për tu shndërruar atje në një aktor mjaft të pëlqyer, kjo pasi ai është bërë pjesë e shumë filmave e serialeve të famshme atje, duke arritur tashmë në atë pikë saqë të jetë ndër aktorët më të kërkuar sidomos kur bëhet fjalë për filma aksion. Falë talentit dhe punës së madhe, Arbeni ka arritur të bëhet pjesë e filmave dhe serialeve të njohura norvegjeze si: Reprise, Blodsbånd, Ulvenatten, Dagbok fra baksetet, Mano dhe Lillebror (NRK), Dino e të tjerë. Talenti dhe puna e madhe, i hapën dyert e një prej institucioneve më të mëdha në Norvegji, ato të Teatrit Kombëtar Norvegjez në Oslo, duke u bërë kështu për tri vite rresht aktorë rezident i teatrit. E padyshim që kjo ishte një përvojë e paharruar për aktorin e që do të donte të zgjaste gjithë jetën. Arbeni në një intervistë për KultPlus, ka zbuluar shumë nga jeta e tij dhe përvoja si aktor.

Ndonëse u largua shumë i ri nga vendlindja, ai tregon se ato vite jetë në vendlindje i mjaftuan që në të të mbillet dashuria e madhe për këtë vend dhe për të mos i harruar asnjëherë traditat, gjuhën e zakonet shqiptare. Madje ai thotë se pasuria më e madhe e tij janë pikërisht këto vlera. Jetën si aktor në Norvegji ai e filloi falë kontakteve që i ka krijuar përmes shoqërisë, fillimisht i është dhënë një rol shumë i vogël por i cili ka mjaftuar që regjisorët të binden që ai ka talent për aktrim e sidomos për rolet në filmat aksion dhe kështu kanë filluar ftesat për role më të mëdha. Deri më tani Arbeni ka luajtur 15 filma dhe tani është në xhirime për filmin e 16-të dhe këtu duke mos i përfshirë rolet në teatër.

Jeta Zymberi

KultPlus: Jeni në proces të xhirimeve të filmit më të ri të Izer Aliut, dhe pikërisht kjo është edhe arsyeja që ju solli nga Norvegjia në Maqedoni, çfarë ndjesie keni që po xhironi në një film shqiptar, duke pas parasysh se një përvojë të tillë tashmë e keni në Norvegji?
Arben Bala: Para disa viteve kam thënë në një intervistë se ëndrra ime më e madhe është të luaj në një film shqiptar, dhe ja tani kjo ëndërr është plotësuar. Gjatë këtyre ditëve që jemi në xhirime, po mundohem ta shfrytëzojë kohën në maksimum duke qëndruar me ekipin të cilët janë të mrekullueshëm. Është ndjesi tjetër të xhirosh me njerëzit e vendit tënd. Për mua kënaqësia më e madhe është kjo koha gjatë xhirimeve sepse ato momente mbesin gjatë në memorien time. Këto momente ma zgjasin jetën. Jam aq i kënaqur këtyre ditëve saqë po fle shumë pak, duke dashur ta zë kohën.

KultPlus: Është filmi i parë shqiptar që po merrni pjesë, apo keni ndonjë rol tjetër edhe në projekte të tjera?
Arben Bala: Ky është projekti i parë shqiptar në të cilin po marrë pjesë. Deri më tani kam qenë pjesë e filmave, serialeve dhe si aktor i tetarit në Norvegji. Por ky rol në filmin e regjisorit shqiptar Izer Aliu është i veçantë për mua. Në këtë film kam rol kryesorë bashkë me aktorët Naser Rafuna dhe Xhevdet Jashari me të cilët kemi arrit një bashkëpunim shumë të mirë dhe finalizimi besoj që do të jetë i mrekullueshëm.

KultPlus: Megjithatë, edhe pse Izer Aliu një regjisor shqiptar, ai punën e tij e zhvillon në Norvegji, që nënkupton që punën e tij e keni njohur prej atje, do ta pranoje një ofertë tjetër nga regjisorët shqiptarë që punojnë në trojet shqiptare?
Arben Bala: Me Izerin jam njohur në Norvegji dhe kam qenë pjesë e filmave të Izerit edhe më herët. Kam shumë respekt për të dhe punën e mrekullueshme që bënë. Por, nëse edhe ndonjë regjisor tjetër shqiptar më bën ftesë për ndonjë film, padyshim që do e pranoja ftesën, madje me shumë kënaqësi. Por gjithmonë kam dëshirë të punoj me njerëz të thjeshtë dhe jo me mendjemëdhenj.

KultPlus: Në kastën e aktorëve të filmit të Izer Aliut, ka mjaftë aktorë të famshëm brenda për brenda Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë, i ke njohur më parë, apo ra ky film e u njohët?
Arben Bala: Është hera e parë që jam takuar me këta aktorë dhe me të vërtetë po kemi raporte shumë të mira. Po kalojmë aq mirë me njëri tjetrin, sikur të kishim luajtur së bashku në filma që 20 vite. Jemi duke kaluar aq mirë saqë kam frikë se do të kalojë në depresion kur të kthehem në Norvegji.

KultPlus: Ndërkohë, ju keni mjaftë role në teatër, seriale e filma norvegjez, por jo të keni famë edhe në trojet shqiptare, pse gjithë kjo tërheqje?
Arben Bala: Kam kontaktuar njëherë me një person që është aktor këtu në Kosovë, të cilit ja kam shpalosur një projekt timin, gjithashtu kam tentuar të flas me disa persona të botës së artit por nuk më kanë marrë seriozisht. Po mendojnë që ne që jetojmë jashtë bëjmë vetëm punë fizike, nuk po arrijnë ta kuptojnë që ka edhe persona që jetojnë jashtë dhe merren me art.

KultPlus: Mund të na përmendi për karakteret që luani në projekte të ndryshme në Norvegji?
Arben Bala: Në filma e kam luajtur pothuajse gjithmonë karakterin e njëjtë. Fizionomia ime e imponon që unë të marr gjithmonë role në filma aksion si “bad guy” dhe për role të tilla të them të drejtën nuk ja zgjasë dorën askujt. Nga gjithë filmat që kam luajtur, do ta veçoja filmin ku kam luajtur me Steven Van Zandt, i cili njëherit është edhe kitaristi i Bruce Springsteen’s. Zandt ka luajtur në shumë filma hollivudian si dhe në serialin e famshëm ‘The Sopranos’.

KultPlus: Sikur të ishte në dorën tuaj, cilin karakter do ta luaje me shumë pasion?
Arben Bala: Këtë karakter e luaj gjithmonë dhe tash është bërë pjesë e imja. Por nuk do të thotë që nuk luaj edhe role të tjera. Në filmin që jemi duke e xhiruar tani, kam një rol krejt tjetër. Në këtë rol paraqitem si një njeri më i tërhequr, një person që frikësohet shumë nga policët, rojtarët e në përgjithësi njerëzit me uniformë. Edhe këtë rol po e realizoj pa problem.

KultPlus: Por, nga përvoja e shumë artistëve shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës, rolet që karakterizohen janë ato të kriminelëve, çfarë mendon që ju besohen këto role, se Ballkani karakterizohet si vend me potencial të kriminelëve, apo se ju vini nga Ballkani dhe mund ti sillni më mirë se askush tjetër?
Arben Bala: Fatkeqësisht bota po na trajton si popull të tillë, po edhe ky paragjykim ka filluar të zhduket. Në rastin tim është fizionomia ime dhe talenti që kanë bërë të më besohen rolet e tilla.

KultPlus: Shqiptarët kanë mjaftë rrëfime që mund të shndërrohen në filma edhe të suksesshëm, cilin rrëfim do të doje ta ndaje më të tjerët?
Arben Bala: Rrëfimin e jetës sime mendoj ta bëj film. Kam pasur një jetë shumë interesante dhe mendoj që po ta bëj film do të dal diçka tepër e mirë sepse aty përfshihet historia e një djali shqiptar që mendoj se do të ishte një histori tërheqëse. Unë e kam skenarin gati por jam ende në bisedime. Në Kosovë nuk mendoj që mund të gjej mbështetje, jam i bindur që nuk vij në rend këtu. Ndërsa në Norvegji ju ka pëlqyer shumë si ide dhe kam gjetur përkrahje por problemi është se ata po kërkojnë ti kenë të gjitha të drejtat e filmit, dhe unë aty nuk pajtohem sepse është jeta ime që do të shfaqet në atë film dhe dua të kem të drejtë mbi atë film. Filmin kam dëshirë ta bëjë shqip sepse historia ime është shumë interesante dhe vetëm në shqip mund ta ketë dinamiken e vërtetë.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë e pret Arbenin pas përfundimit të xhirimit të filmit me regjisorin Izer Aliu?
Arben Bala: Sapo ti përfundoj xhirimet me Izerin, do të kthehem në Norvegji sepse jam pjesë e një filmi të metrazhit të shkurtër i cili do të filloj xhirimet muajin tjetër. Është një projekt interesant pa dialog. Në këtë film jam në rolin kryesorë dhe do të luaj së bashku me aktorë tjerë shumë të famshëm. Ky është një rol shumë i rëndësishëm për karrierën time. Ndërsa më datë 27 tetor jepet premiera e filmit ‘Gjengangere’, pjesë e së cilit film jam edhe unë. / KultPlus.com

Shkrm i huazuar nga KULT PLUS

Categorised in: Norvegji, Showbiz

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: