Milioneri Meha

mehaMurat Mehaj në kohën kur po akuzohet rëndë për humbje të tokës së Kosovës si kryetar i Komisionit Shtetëror për Përcaktimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, nga kjo pozitë së paku ka arritur ta rrisë sipërfaqen e tokës së tij private.

Mehaj, i cili qe një kohë është në cak të akuzave të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, për humbje të mijëra hektarëve tokë shtetërore, vitet e fundit, sipas formularëve të deklarimit të pasurisë që i posedon gazeta “Zëri”, ka deklaruar se i ka blerë dhjetëra hektarë tokë, vlera e së cilës arrin rreth 400 mijë euro, një shtëpi prej 500 metrash katrorë në vlerë prej 400 mijë eurosh, si dhe një banesë që e ka blerë para tri vjetëve mbi 76 mijë euro.

Mehaj, që njëherësh është kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ka deklaruar edhe rreth 330 mijë euro para të gatshme në bankat komerciale të vendit.

Është interesant fakti se formulari i deklarimit të pasurisë së Mehajt nuk ka qenë i publikuar në uebfaqen e Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, mirëpo pas kërkesës së gazetës “Zëri” drejtuar kësaj të fundit, është publikuar edhe pasuria e tij disa muaj pas publikimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Madje, për fshehje të pasurisë në vitin 2011 bashkëshortja e kryeshefit Mehaj, si zyrtare e lartë e Komisionit Qendror Zgjedhor, është dënuar në atë kohë nga Gjykata Komunale për Kundërvajtje në Prishtinë.

Mehaj përveç punës si kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës ai njëherësh është edhe profesor i rregullt në Universitetin “Hasan Prishtina”.

Mehaj në formularët e deklarimit të pasurisë ka deklaruar se ka në pronësi 10 hektarë tokë, që deri në vitin 2014 vlerën e tyre e ka llogaritur 600 mijë euro.

Ndërkaq, sivjet ka llogaritur se vlera e tokës së njëjtë sipas tij ka rënë për 200 mijë euro.

Po ashtu, ai ka të deklaruar se ka në pronësi edhe 2.73 hektarë tokë në vlerë prej 50 mijë eurosh, 15 ari tokë në vlerë prej 15 mijë eurosh, dy parcela në vlerë prej 17 mijë eurosh, banesë prej 90.30 metra katrorë në vlerë prej 76 mijë e 200 euro, të përfituar në vitin 2012.

Mehaj po ashtu ka në pronësi një pallat prej më shumë se 500 metra katrorësh në qendër të Prishtinës, vlera e të cilit sipas tij është 400 mijë euro.

Objekti, sipas Mehës, është përfituar në vitin 2001, por deri sivjet i njëjti nuk është deklaruar fare në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Nuk e kam deklaruar në formular sepse e njëjta është në pronësi të gruas dhe qiraja për shfrytëzimin e objektit ka shkuar në llogari të gruas”, tha përmes telefonit kryeshefi Mehaj.

Më tej, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit Mehaj ka deklaruar se brenda një viti nga Universiteti i Prishtinës merr 13 mijë e 180 euro, ndërkaq si kryeshef i Agjencisë Kadastrale merr 5770 euro.

Përveç dy pagave të rregullta, Mehaj ka deklaruar se nga Libri Shkollor për Autorësi merr brenda një viti 3000 euro, nga Komisioni Shtetëror për Shënimin e Vijës Kufitare 6000 euro, si dhe 2405 euro për mëditje tjera.

Për vite me radhë kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Mehaj, kishte deklaruar se kishte në pronësi 10 hektarë tokë trashëgimi, vlera e të cilit sipas tij ishte 600 mijë euro.

Mirëpo, në formularin e fundit të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2015, Mehaj ka deklaruar se prona e njëjtë tashmë ka vlerë rreth 300 mijë euro më pak, pa dhënë shpjegime.

Po ashtu, për dallim nga viti i kaluar Mehaj ka trashur kuletën e tij edhe për rreth 50 mijë euro.

Nëpër llogaritë e tij bankare në vitin 2014 ai i kishte të depozituara rreth 280 mijë euro.

Ndërkaq, sivjet ai në llogaritë e tij bankare ka më shumë se 320 mijë euro.Milioneri Meha/zeri/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: