Sahatqija e LDK’së kritikon Jabllanoviqin
“Fjalët e Ministrit Jabllanoviq janë të rënda e të pa pranueshme dhe prekin në plagët e pashëruara të qytetarëve të Gjakovës. Nuk arsyetohet mosnjohja e fakteve të një historie të afërt dhe shumë të dhimbshme nga një Ministër i Qeverisë”.
Nënkryetarja e LDK’së, njëherësh edhe deputete e Kuvendit të Kosovës Teuta Sahatqija, thotë se nuk arsyetohet, që një ministër i Qeverisë nuk njeh faktet e një historie të afërt dhe shumë të dhimbshme.
Deklaratën e Aleksandër Jabllanoviqit ajo e ka cilësuar si të papranueshme.
“Fjalët e Ministrit Jabllanoviq janë të rënda e të pa pranueshme dhe prekin në plagët e pashëruara të qytetarëve të Gjakovës. Në Gjakovë nuk ka shtëpi e familje e cila nuk e ka përjetuar egërsinë e luftës. Nuk arsyetohet mosnjohja e fakteve të një historie të afërt dhe shumë të dhimbshme nga një Ministër i Qeverisë”, thotë Sahatqija.
Kryetari i LDK’së dhe kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa ndërkaq, në përpjekje për ta relativizuar deklaratën e Jabllanoviq, kishte kërkuar “zbutjen e fjalëve dhe uljen e gjakrave” si dhe të mos bëhet politikë me familjet e të pagjeturve.