Rruga në Bogë e kalueshme
Të gjithë qytetarët që ia mësyjnë Bogës, duhet të kenë kujdes gjatë rrugës sepse ka shembje të gurëve
Shumë vizitorë i ka mirëpritur qendra e vogël e skijimit në Bogë, e shumë të tjerë mbetën pa e shijuar pasi vizitorët e shumtë i kanë zënë të gjitha dhomat e hoteleve dhe të vilave që lëshohen me qira. Sipas Ylber Rudit, pronar i disa vilave dhe të një hoteli, çmimet nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim.
Pushuesit që po e shijojnë skijimin, thanë se çmimet nuk janë të larta, andaj kjo bën që ata shpesh ta vizitojnë Bogën.
Ndërkaq, Brahim Selimaj që ka lindur pikërisht në Bogë, kërkon nga institucionet investime më të mëdha në këtë qendër të skijimit, pasi thotë se është bërë shumë pak.
Gjatë fundjavës të gjitha dhomat janë të zëna, thanë pronarët e hoteleve, ndërkaq të gjitha mjetet për skijim janë në funksion për dashamirët e borës.