Vazhdojnë pritjet e gjata në pikat kufitare me Serbinë
Në pikat kufitare me Serbinë, po vazhdojnë kolonat dhe pritjet e gjata të automjeteve të bashkatdhetarëve që po kthehen në vendet perëndimore.
Fluksi i madh i bashkatdhetarëve që po kthehen në vendet perëndimore, ku jetojnë dhe punojnë, ka bërë që prej disa ditësh të vazhdojnë pritjet e gjata në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi.
Ata që po prisnin që të kalonin kufirin i kanë thënë RTK-së, se po detyrohen të presin deri në tri orë, dhe për këtë fajësojnë policitë e të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, për punë të ngadalshme.
Por në anën tjetër, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani i ka thënë RTK-së, se koha e pritjes ka filluar të jetë më e shkurtër, ndërsa policia është duke punuar brenda mundësive maksimale.
Shkaktar të kolonave, Kelani thotë të jetë fluksi i madh i qytetarëve për të kaluar në këto pika kufitare.