Jean Paul Jacque heton akuzat ndaj EULEX-it
Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, e Bashkimit Evropian, Frederika Mogherini, ka emëruar ekspertin e pavarur ndërkombëtar, i cili do të merret me vlerësimin e mandatit të EULEX-it.
Me fokus të veçantë, ky ekspert do të merret me akuzat për korrupsion të lartë brenda këtij misioni në Kosovë.
Eksperti i caktuar, është Jean Paul Jacque, profesor me një eksperiencë 40 vjeçare.
“Kam kërkuar nga z. Jacque që brenda 4 muajve të më përpiloj një raport me rekomandimet e tij. Siç e kam theksuar tashmë, gjatë ditëve të mia të para në detyrë, se hulumtimet për akuza ndaj misionit të EULEX-it, janë në interes tonë”, ka thënë Mogherini, përmes një deklarate për media.
Jacque, i cili ka shërbyer si drejtor i Shërbimeve Juridike në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, ofron një ekspertizë unike, në këtë punë, ka shtuar Mogherini.
Ndryshe, Mogherini, para disa ditësh ka njoftuar se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor i cili do të merret me akuzat për korrupsion të lartë brenda EULEX-it në Kosovë.
Kjo ka ardhur, pas publikimit të shkrimeve në gazetën “Koha Ditore” në Prishtinë, për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive, e për të cilat EULEX ka pohuar se ka nisur procesin e hetimeve qysh në vitin 2013.