Rama në B92: Jam i magjepsur se si provokoheni nga Kosova e pavarur
Kryeministri shqiptar i ka thënë televizionit serb, B92 se ideja e Shqipërisë së Madhe është mit “që nuk ka fare të bëjë me ne”, transmeton Indeksonline.
“Projekti jonë është Evropa e Madhe me Shqipërinë dhe Serbinë në të”, ka vlerësuar shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Ai ka shtuar më tej se nuk ka asnjë dëshmi se politika shqiptare punon për Shqipërinë e Madhe.
Kryeministri shqiptar siç raporton B92, e transmeton Indeksonline, e habit fakti se dikush në Serbi provokohet nga qëndrimi se Kosova është shtet i pavarur.
“Për mua është magjespse se si ju mund të provokoheni nga kjo. Kjo nuk është diçka që unë e kam ëndërruar. Kjo është realitet. Shumë shtete me të cilat Serbia bashkëpunon e kanë njohur Kosovën si shtet”, ka shtuar më tej Rama.
“Do të ishte mirë që Serbia ta pranoj këtë realitet”, i ka thënë shefi i qeverisë shqiptare televizionit serb, B92, transmeton Indeksonline.
Ai megjithatë në pyetjen nëse banorët e Luginës së Preshevës janë banorë të Serbisë apo të dikujt tjetër, ka thënë se e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. /Indeksonline/