Ismet Beqiri: Haradinaj është i informuar se LDK e synon postin e kryeministrit
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, në Klan Kosova tha se Gjykata Kushtetuese bllokoi të drejtën e bllokut LVAN që ta kenë postin e kryekuvendarit.
“Në pamundësi që të realizojmë këtë të drejtë, morëm vendim të marrim këtë rrugë: që të hiqet dorë nga posti i kryeparlamentarit e të krijohet mundësia të ecim tutje”, tha Beqiri, duke shtuar se ky ishte vendim unik i bllokut.
Ai nuk e mohon se LDK tash synon postin e të parit të Qeverisë.
“Po, në LDK kemi mbajtur konsultime për dhe kjo nuk është sekrete. Sepse, vendimi i Kushtetueses e prishi marrëveshjen e 10 qershorit. Edhe Isa Mustafa e edhe Ramush Haradinaj kanë thënë se nëse marrëveshja nuk realizohet si tërësi, atëherë duhet marrëveshje e re”, thotë Beqiri, i cili thekson se blloku po punon bashkërisht dhe se ka korrektësi për bashkërenditje të veprimeve.
“Çdo vendim që e kemi marrë ka qenë unik. Haradinaj e din këtë dhe ne i kemi filluar bisedimet për këtë. Ne nuk bëjmë veprime fshehtas që dëmtojnë bashkëpunimin. Pastaj, qëllimi i përbashkët është qeveria ndryshe. Është e qartë se LDK si subjekt më i madh ka synim që ta ketë kryeministrin e vendit, por ky nuk është fundi i bllokut po i fillimit të realizimit të qeverisë së re”, tha Beqiri, i cili thekson se për postin e Haradinajt në qeveri do të bisedohet në ditët në vijim.