Haliti: Të ndërhyjnë ndërkombëtarët!
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, duke komentuar deklaratat e ambasadores së Shteteve të Bashkuara (SHBA), Tracy Ann Jacobson, në debatin e organizuar nga “Lëvizja FOL”, thotë se “nuk është dashur që ta detyrojmë që të flas”.
Haliti, në emisionin “Info – Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se “është dashur që partitë politike në Kosovë t’i krijojnë institucionet me herët, dhe sipas tij “deklarata e Jacobson-it duhet të kuptohet drejt”.
“Mendoj që mesazhi i ardhur nga ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, është i mbështetur në Kushtetutën dhe në interesat e Kosovës, në interesat e elektoratit në përgjithësi”, ka thënë Haliti.
Ai më tutje ka theksuar se mendon që zgjedhjet nuk janë opsion i mirë, duke shtuar se “njësoj si e ka thënë edhe Jacobson, vetëm nëse nuk ka rrugë tjetër për zgjidhje të ngërçit, mund të shkohet në zgjedhje”.
“Mesazhin e Jacobson-it po e kuptoj si një përpjekje publike për të na thënë ‘veproni dhe zgjidhni institucionet’. Në të kundërtën, deklarata publike mund të ‘shndërrohet’ në një takim të radhës (të liderëve të partive politike) nga i cili nuk kemi mundësi të dalim pa vendosur për të ardhmen e vendit”, shprehet ai.
Haliti ka deklaruar se një takim i përbashkët i përfaqësuesve të shteteve perëndimore në Kosovë, ku do të ishin prezentë edhe liderët e subjekteve politike do t’i bënte mirë interesit publik në Kosovë, por sipas tij, do të ndikonte pozitivisht që të vendoset në lidhje me atë që duhet të bëhet.
“Unë nuk po e shoh të mundshme zgjidhjen e këtij problemi pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, përkatësisht pa ndërhyrjen e ambasadave të shteteve perëndimore në Kosovë”, shprehet Haliti. /Telegrafi/