Veliu: Shkojmë edhe në zgjedhje, kurrë koalicion me Thaçin
Të gatshëm edhe për zgjedhje, marrëveshja s’ka ndryshuar. Anëtari i Kryesisë së LDK’së, Agim Veliu ka thënë se marrëveshja e Bllokut vazhdon të mbetet në fuqi edhe pse ka thënë se ajo duhet të vlerësohet nga udhëheqësit e LDK-së, AAK-së, NISMËS e Vetëvendosjes.
“Marrëveshja qëndron derisa të ulet Blloku bashkërisht. Kur të thotë Blloku se s’ka marrëveshje dhe është ndryshuar atëherë besoni. Marrëveshja qëndron ashtu siç është”, ka thënë Veliu për Express.
Ai ka mohuar se LDK’ja ka nominuar Isa Mustafën për Kryeministër. “Ne duhet të ulemi si Bllok dhe të shikojmë, të vlerësojmë. Tash për tash nuk mund të them diçka më shumë”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, kjo është java e fundit kur liderët e partive politike duhet t’i japin fund bllokadës pesëmuajshe në të kundërtën prej javës së ardhshme do të përballen me vendimin e Presidentes për t’i shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Agim Veliu thotë se LDK është e gatshme dhe për proces të ri zgjedhor. “Ne jemi të gatshëm edhe për zgjedhje edhe për krijimin e institucioneve të reja”, ka thënë ai.