Rexhepi pranon më në fund: “Civilna Zastita” operon lirshëm në veri
Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Bajram Rexhepi, pranon se “Civilna Zastita” (Mbrojtja Civile) vazhdon të veprojë në veri të vendit, sepse, sipas tij, ajo nuk është sistemuar në strukturat e Kosovës.
Ndonëse me Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur me ndërmjetësimin e Brukselit, parashihet zhbërja e strukturave paralele, përfshirë ato sigurisë, integrimi i tyre në sistemin kosovar nuk duket se është duke ndodhur ende. Në një raport që ekzekutivi i Kosovës gjatë muajit tetor i ka dorëzuar Bashkimit Europian, përmendet ekzistimi i një strukture paramilitare serbe që vepron lirshëm në veri të Kosovës.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Bajram Rexhepi, tha për Radio Kosovën se “Mbrojtja Civile” vazhdon të veprojë në veri, sepse ajo nuk është sistemuar në strukturat e Kosovës.
“Ne e dimë vetëm për ”Mbrojtjen Civile`, ata ende janë të pasistemuar, për organizata tjera ne nuk dimë. Ajo është shpërbërë, ekziston edhe me tutje sepse ata nuk janë sistemuar ende dhe vazhdojnë me qenë ilegalë”.
Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian në Kosovë, përmes postës elektronike, i ka dhënë Radio Kosovës një përgjigje mjaft përgjithësuese, duke thënë se puna në nivel teknik është duke vazhduar.
“Sa i përket zbatimit të plotë të Marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimit të marrëdhënieve, puna është duke vazhduar në nivel teknik. Ne presim që të dyja palët t’i plotësojnë angazhimet e tyre”, është përgjigja e Zyrës së BE-së, në Prishtinë, transmeton RTK.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka arritur t’i inkuadrojë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në Policinë e Kosovës.
Formacionet e organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila konsiderohet si organizatë paraushtarake, raportohet se janë aktivë çdo ditë në veri.