Haraqija: Koalicioni PDK-LDK shpëtim, LDK-së kryeministri
“Meqë jemi në këtë situatë bllokuese, mendoj se zgjidhja është që LDK-ja ta merr kryeministrin në një koalicion me PDK-në dhe të bëhen 70 deputetë shqiptarë, sepse na presin vendime të medha`
Astrit Haraqija, njëri nga themeluesit e Listës “Ibrahim Rugova” thotë se aktiviteti i kësaj Liste ka pushuar me të hyrë të Teuta Rugovës në listën zgjedhore të LDK-së, në zgjedhjet e 8 qershorit.
Haraqija tha se tash anëtarët e Listës “Ibrahim Rugova” janë në LDK, sikurse ishin edhe më herët, por për shkak të pakënaqësive me zhvillimet në LDK ishin ndarë si fraksion, transmeton Indeksonline.
Në emisionin “Përallë me tupan”, Haraqija foli edhe për frymën rugoviane. Ai tha se kjo frymë nënkupton respektimin e institucioneve e jo bajraqet, “jo heqjen e kokave”. “Ne i pranojmë rregullat e lojes”, tha Haraqija.
Tutje ai ka folur për bllokadën institucionale, duke kritikuar Bllokun VLAN për bllokim të institucioneve. “Zgjedhjet i ke humb, duhesh me e pranu këtë. Zgjedhjet i ka fituar Hashim Thaçi, deshem apo jo ne. Duhet të pranohen rregullat e lojës, e jo për teke personale të bllokohen institucionet”, ka shtuar ai.
Sipas tij, aktualisht Kosova varet nga “Lista Srpska” e Aleksandar Vuçiqit. Haraqija ka dhënë edhe zgjidhje për dalje nga ngërçi. “PDK, AAK dhe Nisma duhet të bëhen bashkë dhe LDK-ja të shkojë në opozitë, pasi që i ka zgjedhjet e brendshme dhe duhet të bëjë reformën brenda gjashtë muajsh”, ka thënë Haraqija.
“E më pas ne për dy vjet ta marrim sërish pushtetin”, tha ai. Ai thotë se Blloku LVAN duhet ta kuptojë se Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet.
“Meqë jemi në këtë situatë bllokuese, mendoj se zgjidhja është që LDK-ja ta merr kryeministrin në një koalicion me PDK-në dhe të bëhen 70 deputetë shqiptarë, sepse na presin vendime dhe përgjegjësi të mëdha”.
Haraqija ka shtuar se Blloku LVAN nuk ka asnjë mundësi të bëjë zgjidhje, sepse nuk i lejon Kushtetuesja. /Indeksonline/