Plagoset me thikë një pjesëtar i stafit civil të policisë
Një pjesëtar i stafit civil në Policinë e Kosovës është plagosur me thikë sot në mëngjes derisa po shkonte në vendin e tij të punës.
Ngjarja ka ndodhur në veri të Mitrovicës dhe viktima i plagosur, Çasllav Iliq, menjëherë është dërguar në Spitalin në veri të Mitrovicës.
Rastin për Indeksonline e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i policisë rajonale në Veri, Besim Hoti.
“Pjesëtari i stafit civil të policisë është qëlluar me thikë nga një person i panjohur derisa po shkonte në detyrë”, ka thënë Hoti, duke shtuar se viktima ka marrë lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar në spital.
Gjendja shëndetësore e viktimës është jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ndodhen hetuesit lokal dhe ata qendror të cilët po punojnë intensivisht për të zbardhur sa më parë rastin.