Isa Mustafa: PDK, tërhiqu
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka ripërsëritur që deputetët e VLAN-it nuk e kanë ndërmend të votojnë për kandidatin për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
Mustafa nëpërmjet një postimi në facebook ka shkruar se, partia e Hashim Thaçit i ka dy rrugë për zgjidhje, të tërhiqet nga një e drejtë që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese si dhe kjo e fundit të sqaroj sesi mund të zbatohet vendimi i saj.
“Deputetët, është e qartë se kanë vendosur për mos t’ia dhënë votën PDK-së. Prandaj në një situatë të tillë janë dy rrugë për zgjidhje: të tërhiqet PDK-ja nga një e drejtë që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të cilën nuk po e merr votën në Kuvend, si kulturë demokratike, ose që Gjykata Kushtetuese të sqarojë sesi mund të zbatohet vendimi i saj, në kushtet kur PDK nuk ka përkrahjen e shumicës në Kuvend, dhe nga fakti se nuk e ka përkrahjen ajo po abuzon me këtë vendim dhe nuk po e thërret vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit”, ka shkruar ai.
Ja postimi origjinal:
Lidhja Demokratike e Kosovës, si subjekt me 30 deputetë nga 63, sa ka Koalicioni pas zgjedhor, LDK, AAK, Nisma dhe marrëveshja e parimeve me Lëvizjen Vetëvendosje si një organizim demokratik për ndryshime, qëndron fuqishëm pran zotimeve për të drejtën e shumicën parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Hyrja e LDK-së në një koalicion të tillë do të përcillet me parimet mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin e Kosovës, para së gjithash me zhvillimin e demokracisë parlamentare, përfshirjen e komuniteteve joshumicë në qeverisje, partneritetin ndërkombëtar, sidomos me SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian, politikat e familjes së partive të qendrës së djathtë, EPP, dhe ndërtimi i raporteve të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet, përfshirë edhe Serbinë.
Është me rëndësi të madhe përfshirja e komuniteteve joshumicë në qeverisjen e vendit, përfshirë Listën serbe si një moment të ri, jo vetëm si obligim kushtetues, por para së gjithash si nevojë e zhvillimit dhe e stabilitetit demokratik dhe ekonomik. Kjo është arsyeja pse ne do të punojmë në zhvillimin e një dialogu transparent dhe në zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu, si trashëgimi e përkrahjes së dialogut edhe në të kaluarën, sa ishim në opozitë, përkundër shumë vërejtjeve për mënyrën e zhvillimit të tij.
Konstitumi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë nuk ka nevojë të mbetet peng e këmbënguljes së PDK-së me partnerët e koalicionit, që përbëjnë 30% të votave të elektoratit për ta mbajtur me çdo kusht pushtetin dhe për ta sunduar Kosovën.
Një vendim I Gjykatës Kushtetuese atyre ua jap të drejtën të propozojnë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por ai vendim thotë se deputetët janë të lirë të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë, që flet se deputetët vendosin në mënyrë të lirë. Deputetët, është e qartë se kanë vendosur për mos t’ia dhënë votën PDK-së. Prandaj në një situatë të tillë janë dy rrugë për zgjidhje: të tërhiqet PDK-ja nga një e drejtë që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të cilën nuk po e merr votën në Kuvend, si kulturë demokratike, ose që Gjykata Kushtetuese të sqarojë sesi mund të zbatohet vendimi i saj, në kushtet kur PDK nuk ka përkrahjen e shumicës në Kuvend, dhe nga fakti se nuk e ka përkrahjen ajo po abuzon me këtë vendim dhe nuk po e thërret vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Organet që marrin vendime është e udhës të sqarojnë sesi këto vendime duhet të zbatohen në mënyrë që ato të bëhen efektive dhe të mos e bllokojnë jetën demokratike të vendit.