Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se Prishtina është në bisedime me “qeverinë holandeze dhe Brukselin” për të arritur marrëveshje bilaterale për krijimin e Gjykatës Speciale e cila do të hetojë pretendimet e Dick Martit për trafikim organesh dhe krime lufte, transmeton Indeksonline.
Hoxhaj ia ka konfirmuar negociatat me Holandën dhe Brukselin gazetës ‘online’, euobserver.com, e cila shkruan se formimi në kohë i kësaj gjykate po rrezikohet nga kriza politike nëpër të cilën po kalon Kosova.
“Pamundësia e Kosovës që të formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve të qershorit nënkupton që parlamenti nuk ka mundësi të aprovojë ligjet për punën e tribunalit të ri”, shkruan euobserver.com, transmeton Indeksonline.
“Ka nevojë të aprovohet legjislacioni nga Parlamenti i Kosovës që krijimi i gjykatës të jetë në pajtim me ligjet e Kosovës”, thotë Joao Sousa, zëdhënësi i Task Forcës së BE-së e cila ka bërë hetim preliminar të pretendimeve të Dick Martit.
Vonesat në krijimin e institucioneve të reja të Kosovës po shkakton probleme edhe për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmes dialogut që po ‘lehtësohet’ nga Bashkimi Evropian.
Mirëpo sipas ministrit Hoxhaj, një marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës është “çështje javësh”.
“Nuk mendoj që kriza politike që po e kalon Kosova do të ndikojë shumë keq sa i përket gjykatës speciale…kjo do të jetë një nga prioritetet kyçe të qeverisë së ardhshme”, thotë Hoxhaj.
Lini një Përgjigje