Rama dhe Basha ende të hidhëruar
Po marrin pjesë në një tryezë, janë shumë afër njëri tjetrit por i janë shmangur kontaktit me njëri-tjetrin.
Kështu Edi Rama kryetari i PS-së dhe ai i PD-së, Lulzim Basha nuk ia kanë dhënë dorën njëri-tjetrit, gjatë pjesëmarrjes së tyre në tryezën e reformës për drejtësi.
Madje edhe në takimin me Presidentin Bujar Nishani, ka qenë ky i fundit që i ka zgjatur dorën kryeministrit Rama.
Por ndryshe nga kryeministri, kryetari i Kuvendit Ilir Meta e ka takuar kreun e opozitës Lulzim Basha si dhe të pranishmit e tjerë në panel pa bërë asnjë lloj diferencimi mes tyre.
Rama, Basha, Meta, hynë në sallë pothuajse në të njëjtin moment duke takuar ambasadorët por duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit, madje dhe në tryezë janë ulur larg , ku në mes Ramës dhe Bashës, qëndronte ulur kryetari i Parlamentit Ilir Meta.
Duket se as kjo tryezë e përbashkët nuk i ka ‘pajtuar’ kreun e Qeverisë dhe kreun e opozitës, ndërkohë që nuk dihet nëse pas kësaj tryeze opozita do të thyejë edhe bojkotin disa mujor dhe të kthehet në Parlament.
Në këtë tryezë opozita pati ekspertët e saj të drejtësisë për të dhënë idetë dhe propozimet e tyre mbi reformën në sistemin gjyqësor shqiptar.