Blloku dhe VV urojnë për festën e Kurban Bajramit
Lidhja Demokratike e Kosovës, NISMA për Kosovën dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë uruar besimtarë myslimanë të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në urimin e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës uron që kjo ditë t’i sjellë popullit paqe dhe harmoni.
“Bajrami i Vogël është festë e besimit në Zotin, festë e mirëkuptimit dhe e dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Uroj që kjo ditë t’ju sjellë paqe dhe harmoni të gjitha familjeve të vendit tonë. Po ashtu, dëshiroj që së kjo ditë e shënuar të na e rikthejë vëmendjen edhe me shumë kah ata që jetojnë në skamje dhe që kanë nevojë për dorën e solidaritetit tonë, që presin kujdesin e shoqërisë dhe të institucioneve të Kosovës. Dhëntë Zoti që vendi ynë, Republika e Kosovës, si gjithnjë deri më tani, të kremtojë edhe në të ardhmen në harmoni dhe në dashuri, në paqe me vetveten dhe me botën mbarë! Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës! Zoti i bekoftë miqtë e vendit tonë! Urime dhe me fat Bajrami!”, thuhet mes tjerash në urimin e LDK-së.
Edhe Nisma për Kosovën ka uruar për festën e Kurban Bajramit, me ç’rast dëshiron që kjo ditë të jetë ditë e mirësisë, paqes, solidaritetit, tolerancës dhe dashurisë ndërnjerëzore.
Kryesia e NISMËS për Kosovën, të gjithë qytetarëve të Kosovës, të besimit islam, u dëshiron shëndet dhe suksese në familjet e tyre!
Urimit për këtë ditë i është bashkëngjitur edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila thotë se kjo ditë përcjell një mesazh universal, në njërën anë gatishmëria e njeriut për sakrificën më madhore në emër të idealit, në anën tjetër mesazhi hyjnor i cili e ndalon sakrifikimin e fëmijës, i cili simbolizon të ardhmen.
“Asnjë njeri, sado i pushtetshëm të jetë në tokë, nuk e ka të drejtën dhe justifikimin që të sakrifikojë të ardhmen e shumicës. Ky mesazh do të duhet të sillte reflektim edhe në politikanët tanë”, thuhet ndër të tjera në urimin e Vetëvendosjes.
“Kurban Bajrami festohet gjithnjë me gosti, e kjo festë shënon dëshirën komunitare për një të ardhme në harmoni e në prosperitet. E në të njëjtën kohë shënon vëmendjen për ata, gostia e të cilëve është më e varfër. Vëmendja edhe ndihma e shoqërisë duhet të drejtohet tek ata, siç thuhet edhe në mesazhin e fesë myslimane”.
“Në të njëjtën kohë Kurban Bajrami, si të gjitha festat fetare, është një moment kur shqiptarët kanë festuar dhe festojnë së bashku me bashkëatdhetarët e tyre të feve të tjera, duke përforcuar kështu traditën e kahmotshme të bashkëjetesës e të mospranimit të ndarjeve identitare të imponuara nga jashtë. Ky mesazh universal është një nga kontributet që shoqëria jonë ia bën vetvetes dhe botës. Ne urojmë që fryma e kësaj bashkëjetese të reflektohet edhe në aspekte të tjera, sidomos në ato të solidaritetit ekonomiko-social të shoqërisë e të kombit tonë”, përfundon urimi i Lëvizjes Vetëvendosje.