Prishtina pas 31 vjetëve kërkon fitore ndaj Trepçës
31 vjet kanë kaluar kur Prishtina ka shënuar fitoren e fundit në stadiumin “Adem Jashari”. Kjo traditë e tyre nuk është thyer as pas luftës, kur ndeshjet me Trepçën vendase ishin shpeshtuar, pas inkuadrimit të tyre në Superligë.
Sot, Bardhekaltërit udhëtojnë me njërën prej përbërjeve më të mira të pas luftës, dhe me trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili krahas rezultateve të dobëta, ka rikthyer regjimin tek lojtarët, të cilin e kishte aplikuar edhe trajneri Afrim Tovërlani.
Sokoli ka vendosur që t’ua ndalojë prononcimet për media edhe vetit edhe lojtarëve. Kështu ishte edhe kontakti i djeshëm i Arenës me kapitenin Driton Krasniqi. Madje, krahas Tovërlanit, që të paktën organizonte konferenca për shtyp para loje, ‘profa’ ka vendosur të flasë vetëm për sajtin e klubit të vet. Ai për ‘prishtinafc.com’ tha se ekipi i tij ka gjetur lojë dhe tani i duhet të gjejë edhe golin, raporton Arena.
Madje, këtë herë pritet të inkuadrojë nga fillimi Durim Gashin, mesfushorin që tregoi paraqitje të mirë ndaj Vëllaznimit.
Prishtina nuk ka shënuar fitore në katër ndeshjet e fundit, derisa ka realizuar vetëm një gol dhe atë nga penalltia.