Gërvalla: Në LDK nuk ka vend për kancerin komunist
Vajza e atdhetarit, Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla-Schwarz, akuzon krerët e LDK-së si njerëz kancerogjen qe po shkatërrojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ajo akuzon krerët e kësaj partie se po tentojnë ta ndalin çdo veprim demokratike dhe ta censurojnë çdo mendim te lirë ne këtë parti. “Nëse duan një indikacion se si shihet puna e tyre nga elektorati i mirëfilltë i LDK-së, le t’i hedhin një sy rezultateve të zgjedhjeve”.
“Në LDK nuk ka vend për kancerin komunist të mohimit të fjalës së lirë. Liria e shprehjes së mendimit është fundamenti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Këtë në Kosovë e di çdo njeri. Shumëkush nga partitë „e forta“ na ka përqeshur për këtë virtyt, duke na e interpretuar si dobësi.
Nuk ka vend në LDK logjika e vjetër komuniste e kufizimit të kësaj lirie. Përpjekja që „në emër të vlerave të LDK-së“ t’iu mbyllet goja deputetëve sepse nuk qenkan në „linjën partiake“ është krejtësisht e papranueshme. Funksionarët e saj duhet ta dijnë që çdo tentativë për tjetërsimin e karakterit të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të shoqërohet me rezistencë masive.
Nëse duan një indikacion se si shihet puna e tyre nga elektorati i mirëfilltë i LDK-së, le t’i hedhin një sy rezultateve të zgjedhjeve, madje jo vetëm të këtyre të fundit ose thjesht të bisedojnë ndonjëherë edhe me anëtarët e thjeshtë të LDK-së dhe jo vetëm mes vete. Aty ku shkruan LDK duhet të ketë LDK edhe brenda!”, shkruan Donika Gërvalla ne rrjetin e saj social fcb.