Papa Françesku lë “tokën e shqiponjave”, mesazhi për shqiptarët

562X315903195_10711208_10204584586115691_1351649451_nPapa Françesku ka përmbyllur vizitën e tij në Shqipëri, pasi 11 orë qëndrimi në atë që e vlerësoi sot në fjalën e tij në takimin me autoritetet shtetërore si “toka e shqiponjave”.
Në orën 19:45, avioni i Atit të Shenjtë la Shqipërinë për të fluturuar drejt Italisë. Kryeministri Rama përcolli Papa Franceskun deri tek shkallët e avionit.

Mesazhi i Papa Françeskut për shqiptarët

Papa Françesku u ka kërkuar të rinjve shqiptare që të refuzojnë idhujtarinë e parasë, lirinë e rremë të individualizmit, varësinë dhe dhunën si dhe i ka inkurajuar ata të përqafojnë kulturën dhe solidaritetin.

“Para se të përfundoja këtë festim, do të doja të përshëndesja secilin prej jush që ka ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe vendet fqinjë. Ju falënderoj për prezencën. Veçanërisht do të doja të përshëndesja të rinjtë. Më thanë se Shqipëria është vendin me popullsinë më të re në Evropë. Të dashur të rinj, ju jeni gjenerata e re e Shqipërisë, e ardhmja e vendit. Ju do të dini t’i thoni “Jo” idhujtarisë së parasë, “Jo” lirisë false të individualizmi, “Jo” varësisë dhe dhunës, ju gjithashtu do të dini së t’i thoni “Po”, kulturës dhe solidaritetit, “Po” të bukurës që është e frymëzuar nga e mira dhe e vërteta, “Po” jetës së jetuar me entuziazëm dhe në të njëjtën kohë të vlerësoni gjerat e vogla.”

“Shqiponja nuk e harron folenë e saj. Duhet të fluturoni lart.”

Vizita

Ka përfunduar mesha e shumëpritur e Papa Françeskut, në sheshin “Nënë Tereza”. Fillimisht Ati i Shenjtë, përshkoi me makinën e tij bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u përshëndetur me duartrokitje nga mijëra qytetarë dhe besimtarë që kishin mbushur si asnjëherë tjetër rrugët e sheshet e Tiranës. Automjeti me të cilin udhëtoi Papa, ishte tërësisht i zbuluar.

Gjatë rrugëtimit në bulevard, Papa puthi disa fëmijë të vegjël mes tyre dhe një vajzë 2-vjeçare, duke i dhënë bekimin. Mesha e Shenjtë u kremtua së bashku me 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë. Në meshë morën pjesë të gjithë besimtarët dhe pelegrinët nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si dhe nga vende të ndryshme të botës.

Në hapësirën para altarit, u vendosën një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.

“Duke ardhur sot në mesin tuaj vëllezër e të dashur motra të Shqipërisë, në këtë shesh që i kushtohet bijës së madhe të së bekuarës Nënë Tereza të Kalkutës, dua të përsëris: Paqe në shtëpitë tuaja paqe në zemrat tuaja, në kombin tuaj”, tha Papa Francesku.

Me këto fjalë e nisi Papa Meshën e Shenjtë përballë besimtarëve në sheshin “Nënë Tereza”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i bëri një dhuratë simbolike Papës, para fillimit të meshës, duke i dorëzuar atij një çelës, “çelësin e kryeqytetit”.

Duke iu referuar historisë së vendit tonë, Papa Françesku, tha se Shqipëria ka qenë një tokë martirësh, ku shumë besimtarë e paguan me jetë besnikërinë e tyre, duke mos u përkulur përballë kërcënimeve të regjimit ateist:

“Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve , ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandashëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar. Shkoj sot , shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt , vë lulen e lutjes e të kujtimit”.

Papa kërkoi nga të rinjtë më tepër përkushtim nga ata për Zotin, në mënyrë që t’i japin hov veprimtarisë së tyre pranë formave të Kishës në gjirin e shoqërisë. Ai u kërkoi gjeneratave të reja shqiptare që të refuzojnë dhënien mbas parave, varfërisë dhe dhunës, dhe i inkurajoi ata të kultivojnë një kulturë solidariteti dhe të rigjetjes shpirtërore.

“Posaçërisht iu drejtohem të rinjve: mos keni frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtit, që iu fton që ta ndiqni!. Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve”, tha Papa.

Deklarata e plotë e Papa Françeskut në Presidencë

Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu me ju, në tokën fisnike të Shqipërisë, tokën e heronjve të cilët kanë sakrifikuar jetën e tyre për pavarësinë e vendit, si dhe vendin e dëshmorëve, të cilët kanë dëshmuar fenë e tyre në kohët e vështira të persekutimit. Ju faleminderit që më dhatë mundësinë të vizitoj atdheun tuaj, të quajtur “vendi i shqiponjave” dhe ju falënderoj edhe për mikpritjen tuaj festive.

Ka kaluar gati një çerek shekulli që nga Shqipëria ka gjetur rrugën e vështirë të lirisë. Ajo i ka mundësuar shoqërisë shqiptare të nisë një rrugën për rindërtimin material dhe shpirtëror, për të vënë në lëvizje shumë energji dhe iniciativa, të jetë e hapur për bashkëpunim dhe shkëmbime me vendet fqinje në Ballkan, Mesdhe, Evropë dhe në mbarë botën. Liria e rigjetur ju ka lejuar ju që të shikoni të ardhmen me besim dhe shpresë për të filluar projekte dhe për të rindërtuar marrëdhëniet e miqësisë me vendet fqinje dhe ato larg jush. Respektimi i të drejtave të njeriut, ndër të cilat liria e besimit dhe shprehjes së mendimit, është në fakt një parakusht për zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi. Kur dinjiteti njerëzor respektohet dhe të drejtat e tyre janë të njohura dhe të mbrojtura, personaliteti i njeriut mund të vendosë iniciativat e saj të shumta në emër të së mirës së përbashkët.

I gëzohem në një mënyrë të veçantë një tipari të rëndësishëm të Shqipërisë, që duhet të ruhet me kujdes dhe vëmendje: I referohem bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit mes anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe besimit të ndërsjellë në mes katolikëve, ortodoksë dhe myslimanëve është një aset i vlefshëm për vendin dhe merr një rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën, nga grupe ekstremiste, është paraqitur keq kuptimi i vërtetë fetar dhe janë shtrembëruar dhe manipuluar, duke e bërë atë një faktor të rrezikshëm të konfliktit dhe dhunës. Dialogu i hapur dhe i respektuar, është reflektim i përbashkët mbi atë se çfarë do të thotë të besosh në Zot dhe të ndjekësh ligjin e Tij.

Askush të mos mendojë se mund të gjejë strehë në Zotin ndërsa projekton dhe vepron akte të dhunës dhe abuzimit. Askush të mos e marrë si shkas fenë për aksione në kundërshtim me dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të njeriut, kryesisht e drejta për jetën dhe lirinë fetare mbi të gjitha. Ajo që po ndodh në Shqipëri, megjithatë, tregon se një bashkëjetesë paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe komuniteteve që u përkasin feve të ndryshme nuk është vetëm e dëshirueshme, por edhe praktikisht e mundur. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, në fakt, është një pasuri e paçmueshme për paqe dhe për zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është një vlerë që duhet të ruhet dhe të rritet çdo ditë. Kjo është një dhuratë që është gjithmonë e kërkuar Zotin në lutje. Shqipëria mund ta vazhdojë këtë rrugë, duke u bërë një shembull për shumë vende për frymëzim!

Z. President, pas dimrit të izolimit dhe përndjekjes, po vjen më në fund pranvera e lirisë. Nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të marrëveshjeve të reja institucionale, ajo ka konsoliduar pluralizmin demokratik dhe kjo ka favorizuar edhe rifillimin e aktiviteteve ekonomike. Shumë njerëz, sidomos në fillim, të motivuar për kërkimin e një pune dhe kushteve më të mira të jetesës, kanë marrë rrugën e emigracionit dhe kontribuojë në mënyrën e vet për përparimin e shoqërisë shqiptare. Shumë të tjerë kanë rizbuluar arsyet për të qëndruar në shtëpi dhe për të ndërtuar atë nga brenda. Mundi dhe sakrificat e të gjithëve kanë përmirësuar gjendjen e kushteve të përgjithshme.

Kisha Katolike, nga ana e saj, ka mundur të rifillojë një jetë normale, rivendosjen hierarkisë së saj. Janë ndërtuar dhe rindërtuar shtëpitë e adhurimit, në mesin e tyre tempulli i Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër; janë themeluar shkolla dhe qendra të rëndësishme arsimore dhe ndihme në dispozicion për të gjithë qytetarët. Prania e Kishës dhe e veprimtarisë së saj për këtë arsye janë të perceptuar të drejta jo vetëm si një shërbim për komunitetin katolik, por gjithë kombin. E Lumja Nënë Tereza, së bashku me dëshmorët të cilët heroikisht kanë dëshmuar besimin e tyre – meritojnë njohjen tonë më të lartë dhe lutjen tonë – sigurisht gëzojnë në Qiell për angazhimin e burrave dhe grave me vullnet të mirë për të ringjallur Kishën në Shqipëri.

Tani, megjithatë, paraqiten sfida të reja për t`u përballuar. Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik dhe kulturor, duhet çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në dispozicion për të gjithë dhe jo vetëm për një pjesë të popullsisë. Për më tepër, nëse ky zhvillim nuk do të jetë i njëjtë do të thotë se nuk merrni parasysh të drejtat e të varfërve dhe nuk respektoni mjedisin. Globalizimi i tregjeve duhet t’i përgjigjet globalizimit të solidaritetit. Shqipëria sot mund të përmbushë këto sfida në një kornizë të lirisë dhe stabilitetit, të cilat duhen konsoliduar pasi japin shpresë për të ardhmen. Unë falënderoj përzemërsisht secilin prej jush për mikpritjen e mrekullueshme dhe, ashtu siç bëri Shën Gjon Pali II në prill të vitit 1993, Shqipëria të thirret në mbrojtjen e Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, duke ia besuar asaj shpresat e të gjithë popullit shqiptar. Zoti derdhtë hirin dhe bekimin e tij mbi Shqipërinë./shekulli/standardi.eu/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: