Kalo te lënda

Hoxhaj: UNMIK pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB

f_0808142506681_mPas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, UNMIK-u duhet të largohet përfundimisht nga Kosova. Kështu ka deklaruar për Deutsche Welle, shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj. Ministri Hoxhaj ka folur edhe për rolin e misionit të OSBE-së në zgjedhjet e tre nëntorit.

Hoxhaj ka folur edhe për skandalet e fundit punonjësve të shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Padyshim që diplomacia është imazhi i gjallë i një vendi dhe unë si ministër i jashtëm në atë moment kur jam informuar për paraqitjen e ndonjë sjelljeje jodinjitoze të ndonjë diplomati, kam marr masa në përputhje me ligjet e Kosovës dhe kam vendosur siç ishte rasti me diplomatin në Zagreb, Urtak Hamiti që ta tërheq në Prishtinë. Mendojë që një rast i tillë padyshim që e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë për pjesë të tjera që janë raportuar në mediat kosovare, mendojë se i tejkalojnë fokuset kryesore të asaj se çfarë bën politika e jashtme. Nëse raportohet në gjerësi dhe gjatësi për një shkresë dhe një email të diplomatëve kosovarë dhe krijohet përshtypja e një invencioni që është skandal, unë them se rastet e tilla nuk paraqesin asnjë skandal”, tha Hoxhaj

Ministri duke folur për zgjedhjet e 3 nëntorit tha se pikënisje e tyre që të përfshihet OSBE-ja në zgjedhjet lokale sidomos në katër komunat në veri që janë pjesë e integritetit territorial të Kosovës, ka të bëjë me një kontinuitet që kanë pasur në këto katër vitet e fundit në veri të Kosovës.

“Mund të them që dialogu me Serbinë, marrëveshja ka qenë një ngritje e shtetit të Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Nuk ka pasur asnjë zhvillim në këto pesë vite të pavarësisë sikurse dialogu, kur ne kemi dëshmuar pjekuri politike dhe ku kemi ushtruar fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa në marrëveshjen që kemi arritur me Serbinë me 19 prill, parashihet që OSBE-ja të ketë një rol lehtësues të organizimit të zgjedhjeve vetëm në komunat në veri të Kosovës. Mendojë se kjo është në interes të shtetit të Kosovës, ndërsa mandati i OSBE-së do të jetë në përputhje në kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës. Ne do të jemi dëshmitarë që nëntori i vitit 2013, do të mbetet si ndër pikat me kthesë me të rëndësishme e me vendimtare sa i takon shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri”, tha ai.

Sipas ministrit Hoxhaj, dialogu me Serbinë ka pasur tri qëllime. E para ka qenë normalizimi i situatës në veri të vendit përmes integrimit të komunitetit serb që jeton në veri të Kosovës, pastaj normalizimi i relacioneve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura dhe qëllimi i tretë ka qenë se si edhe Kosova ta normalizojë relacionin e saj me institucionet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Punëve të Jashtme ka folur edhe për mospërfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë.

“Padyshim që prania e UNMIK-ut në Kosovë dhe aktivitetet e tij pa një mandat ‘sepse UNMIK-u për mendimin tim e ka përmbushur mandatin të cilin e ka pasur deri në dhjetor të vitit 2007’, paraqesin pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, prandaj ftesa ime është që UNMIK-u të shndërrohet në partner se si Kosova të anëtarësohet në OKB dhe KS-it dhe institucionet e tjera relevante të mendojnë se si atë buxhet që UNMIK-u e përdor në Kosovë ta përdori për vendet e tjera në botë, qoftë në Afrikë apo Azi ku ka domosdoshmëri për ndonjë prani të ndonjë misioni të OKB-së. Më së paku UNMIK-u ka një mandat, një mision dhe një rol në shtetin e pavarur të Kosovës në vitin 2013”, tha ministri. /Telegrafi/

Lini një koment