Xhabir Hamiti kandidon për kryetar të BIK
Kryetari aktual i Kuvendit të BIK. Xhabir Hamiti, e konfirmoi kandidaturën e tij, kur foli si mysafir në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës.
“Unë do të kandidoj për pozitën e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Unë besoj se do ta ndryshoj formën e brendshme administrative të Bashkësisë Islame.”, tha Hamiti Kandidati i ardhshëm dhe oponenti i Naim Tërnavës, i cili rikujtoi atë se nuk ka të drejtë të kandidojë për mandatin e tretë në krye të BIK, premtoi se do t’i sjellë ndryshimet e nevojshme nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.
“Do të jem shumë transparent para opinionit të gjerë dhe besimtarëve dhe do të kem një vizion të qartë e stabil. Pikë së pari do të mundohem të siguroj statusin juridik të BIK, meqë aktualisht ajo është një organizatë fantome dhe nëpunësit e vet nuk janë fare të regjistruar”, përfundoi ai.
Kandidati i për kreun e BIK deklaroi se së fundmi ekziston një tentativë për të imponuar një agjendë tjetër pa njohurinw e tij. Kjo agjendë sipas tij është për miratimin e disa normativave, për të cilat Hamiti kishte sugjeruar që së pari të jenë pjesë e komisioneve përkatëse të Kuvendit.
Hamiti tha se aktualisht Bashkësia Islame është në gjendje të rëndë, derisa sugjeroi që shteti të krijojë një urë lidhëse duke zgjidhur statusin juridik të saj.
Teologu tha se është më mirë që shteti të financojë bashkësitë fetare, sesa mos të ketë kontroll për të hyrat e tyre.