Kalo te lënda

Qeveria po e bojkoton punën e Kuvendit

Instituti Demokratik i Kosovës vlerësoi të mërkurën se Qeveria dhe shumica parlamentare po i bën obstruksione punimeve të Kuvendit të Kosovës.

KDI në një konferencë për media publikoi raportin mujor të monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për muajin shtator 2012, duke prezantuar një varg të gjeturash për këtë periudhë, e që sipas tyre po ndikojnë në mbarëvajtjen e punës së legjislativit.

Driton Selmanaj, menaxher programi në KDI vlerësoi se seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës (3-4 tetor 2012) dëshmoi edhe një herë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi po i bën obstruksione punimeve të kësaj legjislature, duke interferuar në agjendat parlamentare, madje edhe duke i bojkotuar ato.

Sipas Selmanajt, janë të njohura praktikat parlamentare në vendet demokratike, ku Kuvendin e bojkoton ose e bllokon opozita, por ajo çfarë po ndodh në Kosovë është e pa precedent.

“Me bojkotin e shumicës parlamentare të seancës plenare, objektivisht Kuvendi i Kosovës po vihet jashtë funksionimit dhe kjo i cenon jo vetëm agjendat parlamentare në një demokraci por edhe sistemin politik dhe rendin kushtetues në vend”, u shpreh ai. Selmanaj po ashtu ngriti shqetësimin e KDI-së duke e cilësuar si absurd prolongimin e miratimit të Rregullore së re të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Halil Matoshi,analist në KDI paraqiti kërkesën e KDI-së që Kuvendi i Republikës së Kosovës të nxjerrë një Rezolutë të re lidhur me bisedimet eventuale politike me Serbinë – si dhe ratifikimin në Kuvend të çfarëdo marrëveshjeje eventuale ndërmjet palëve.

Sipas KDI-së, Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë publike me urgjencë të gjitha dokumentet origjinale që kanë rezultuar nga bisedimet e gjertanishme Kosovë-Serbi si dhe Kuvendi të debatojë në një seancë të jashtëzakonshme për të paraqitur për miratim Rezolutë të re, lidhur me bisedimet politike me Serbinë dhe ta caktojë pragun minimal nën të cilin Qeveria e Kosovës nuk ka mandat për të negociuar me palën serbe.

KDI vlerëson se pa një Rezolutë të re të Kuvendit të Kosovës, Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet për t’i hyrë një procesi të ri bisedimesh me Republikën e Serbisë

“Çfarëdo marrëveshjeje politike me një shtet tjetër, e që ka të bëjë me rendin kushtetues dhe sistemin politik të Republikës së Kosovës, në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë duhet të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës si instancë kushtetutëdhënëse, në përputhje të plotë me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.  Përndryshe, secila marrëveshje e pa-ratifikuar nuk do të prodhoj efekte juridike dhe politike në Kosovë, dhe nuk do të  obligojë Qeveritë e ardhshme për t’i respektuar ato”, tha ai. /Telegrafi/

Lini një koment