Kalo te lënda

Jahjaga: Hap i madh drejt integrimit në BE

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mirëpret aprovimin nga Komisioni Evropian të Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Studimi i Fizibilitetit konfirmon se Kosova është e gatshme për të hapur negociatat për MSA-në, pas përmbushjes së prioriteteve afatshkurtra”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
Në deklaratën e Presidentes thuhet se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit paraqet hapin e parë të madh të vendit në rrugën e anëtarësimit dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, proces ky që është në një vijë me politikën e zgjerimit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Jahjaga konsideron se vendosja e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të ketë ndikim të rëndësishëm në proceset demokratike dhe nxitjes së reformave të brendshme, si dhe në avancimin e zhvillimit ekonomik të vendit duke ofruar gjithashtu stabilitet për investitorët e jashtëm.
Presidentja shpreh gatishmërinë dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që të vazhdojnë në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian.
Jahjaga shpreh mirënjohjen Komisionit Evropian dhe të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të rrugës evropiane të Kosovës dhe të rajonit.

Lini një koment