LDK fton edhe partinë e Pacollit dhe listën “Ibrahim Rugova”
Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ismet Beqiri ka thënë se edhe për Aleancën Kosova e Re ka ftesë për bashkim në koalicionin e djathtë.
“Nëse AKR e sheh se i bjen mirë me LDK-në atëherë ne mund të garojmë së bashku në zgjedhjet e ardhshme” ka deklaruar Beqiri në KTV.
Por Syzana Novobërdaliu nga AKR ka thënë së partia që ajo përfaqëson nuk ka marrë ftesë zyrtare nga LDK.
Ndërkohë Beqiri ka përmendur arsyet të cilat sipas tij janë shumë, për bashkim të djathtësh. Sipas tij nevoja për këtë bashkim është shumë e madhe.
Beqiri ka sqaruar se gjatë takimit me Kreun e LDD-së Nexhat Daci nuk kanë vendosur kushte por vetëm kanë biseduar për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Kosovën.
“Në këtë mes ka vend edhe Lista Ibrahim Rugova. Ne nuk mund ti mbyllim sytë para këtyre gjërave që po ndodhin” ka theksuar Beqiri.
Në fund Beqiri ka treguar se nëse partitë e tjera nuk i bashkohen nismës së LDK-së ata do të vazhdojnë “luftën” vetëm me LDD-në.
E Besa Gaxherri nga LDD është deklaruar për një bashkim të tillë. Sipas saj partitë e tjera në Kosovë përveç PDK-së dhe LDK-së janë të vogla dhe nga to nuk është parë lëvizje. Sipas saj duhet bashkuar për ndryshim të gjendjes aktuale.