Kalo te lënda

Kërkohet Nobel për Kadarenë

Në prag të ndarjes së çmimit Nobel për letërsinë Komiteti që ndanë çmimin ka marrë edhe një letër nga Kosova në të cilën kërkohet që çmimi të shkojë te shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Letra është nënshkruar nga Azem Deliu.

Në letër thuhet:

Të nderuar anëtarë të komitetit NOBEL

Zakonisht letrat e tilla fillojnë me “Jemi dëshmitarë të kohës kur”.As unë në këtë rast nuk do bëj përjashtime. Jemi dëshmitarë të kohës kur vlera dhe antivlera po bëjnë një luftë të zjarrtë e shqetësuese.

Kjo luftë sikur edhe në të gjitha lëmitë (kryesisht artistike) është e pranishme edhe në horizontin e letërsisë, pa qenë gjithaq e vërejtshme nga njerzit. Me lejoni ju lutem, të ju shpjegoj arsyen për këtë enigmë thuajse të pazbërthyeshme. Përderisa vlera tenton gjithsesi të hyjë në vendin që e meriton dhe këtë tentativë e bën publikisht. Antivlera sulmon tinëzisht dhe është e padukshme, nuk vërehet. Por kjo, nuk e bën atë më pak të rrezikshme. Sepse kur diçka e padukshme sulmon, është e logjikshme dhe krejt e kuptueshme që nuk di nga të mbrohesh. Është, besoj, momenti i fundit që të vendosim se nga do të rreshtohemi në këtë luftë shumëdimensionale. Më shumë se në çdo kohë tjetër, në kohën tonë, bota është e mbushur me prirje donkishotiane, dhe kjo s’është diçka me të cilën mund të krenohemi. Duke ju kërkuar mirëkuptim për krahasimin e çuditshëm, do të doja të dilja në pikën kryesore të letrës sime. Është një e vërtetë e pamohueshme dhe e patjetërsueshme se kultura shqiptare, përkatësisht letërsia shqipe ka dhënë shumë e marrë shumë më pak nga kultura e përgjithshme botërore. Përderisa letërsia shqipe përbën një të kushedisatën pjesë të kulturës botërore, ky raport relacionesh është deri diku i përligjur. Unë do nisem nga një prizëm më i ngushtë, që është edhe arsyeja e kësaj letre që po ju shkruaj.

Letërsia, brumi “djallëzor” me të cilin të gjithë ne jemi gatuar.Do përmendja kalimthi romanin “Kush e solli Doruntinen” të Ismail Kadaresë, roman i bazuar në gojëdhënën e famshme të besës. Duke konsideruar që ju e keni lexuar këtë roman nuk do ndalem tek ngjarja, por thjesht do ndërlidhem me të, për të bërë një tjetër krahasim. Për gjithë këto perla që letërsia e popullit tim i ka dhënë botës, bota ka megjithatë një dozë detyrimi moral, për të mos thënë një besë të dhënë, që një ditë do i’a shpërblejë, pikërisht asaj, letërsisë shqipe. Por kjo besë, s’është di♪çka konstandiniane për të cilën bota duhet ngritur nga varri, përkundrazi, është krejt e thjeshtë dhe e lehtë për t’u mbajtur. Vetëm se duhet gjetur koha e duhur, dhe përfaqësuesi i duhur. Unë jam fort i bindur në vete që nuk ka kohë më të qëlluar se 100 vjetori i pavarësisë, dhe nga ana tjetër, nuk ka, nuk ka pasur, e mbase as do ketë një përfaqësues më të denjë se kristali shkëlqyes që mbanë emrin Ismail Kadare. Ky është njeriu tipik me të cilin do identifikonim lidhjet e letërsisë shqipe dhe asaj botërore, kulturës shqipe dhe asaj botërore, apo ndoshta edhe vet popullit shqiptar dhe popujve botërorë.

Ky njeri, që qëndron mes kulturës së moçme shqiptare dhe asaj modernes, të spikatures, botërores, është i përkthyer në më shumë se 40 gjuhë. Dhe vepra e tij e internacionalizuar përçon një mesazh universal për lexuesin mbarëbotëror. Me frymë narrative shekspiriane e megjithatë krejt origjinale, Ismail Kadare është përfaqësuesi më i denjë i popullit tim në botë. Të jeni të bindur, se nuk po u kërkoj NOBEL-in për Kadarenë si dhuratë 100 vjetori. Por jam thellëshmërisht i bindur që s’ka e as do ketë rast më të mirë për botën sesa 100 vjetori, për t’i treguar një populli të tërë qytetërimi të lashtë, që nuk e ka lënë pasdore, në kohën kur vetë ai, është i bindur për një gjë të tille.

Vlera dhe antivlera vazhdojnë luftën, e Kadareja i prinë fronit të vlerës. Ky luftëtar pende medoemos duhet nderuar me ç’meriton. Dhe duke dashur ta mbyll letrën time e duke u kërkuar ndjesë për gjatësinë e saj, do u thoja bindjen time të thellë e të plotë, se ndarja e çmimit NOBEL për Kadarenë 76 vjeçar, më shumë sesa atë vet, e nderon komitetin tuaj.

Lini një koment