Kalo te lënda

Kompromis me kazinon, shqiptari kënaqet me një milion euro

Shqiptari nga Zvicra, Behar Merlaku është dorëzuar, duke u kënaqur me “vetëm” një milion euro, në vend të 43 milionëve, sa i kishte kërkuar nga kazinoja e Bregenzit në Austri.

Historia e 26 vjeçarit nga Zvicra kishte nisur në mars të vitit 2011, me një gabim teknik të automatit të kazinos, i cili në ekran kishte treguar shifrën prej 43 milionë eurosh.

I bindur se e kishte fituar këtë shumë, Behari e kishte kërkuar atë nga menaxhmenti i kazinos (Casinos Austria AG). Ata nuk kishin dashur të dëgjonin, duke u arsyetuar se bëhet fjalë për një gabim softueri, pasi që në kazinon e tyre nuk ka fitime milionëshe.

Ndërsa Merlaku kishte marrë avokatin dhe ishte nisur rrugës së gjatë për të kërkuar shumën e parave, që, sipas tij, i kishte fituar.

Një vit e gjysmë më vonë, pas disa seancave gjyqësore, duket se Behari ka pranuar kompromisin “e dhimbshëm”: Ai, sipas gazetës austriake “Heute”, ka arritur marrëveshje jashtëgjyqësore me kazinon e Bregenzit që  të heq dorë nga kërkimi i 43 milionë eurove, duke pranuar të marrë 1 milion euro, transmeton albinfo.ch.

Në procesin gjyqësor të mbajtur në janar të këtij viti në Gjykatën e landit në Feldkirch, bëhej fjalë për një dëmshpërblim prej 5 milionë eurosh. Sipas avokatit të Merlakut, Casino Austria AG i kishte ofruar atij 500 mijë euro, që nuk i mbushte aspak syrin klientit të tij.

Në muajt në vazhdim, dy palët në kontest duket se janë pajtuar për shumën e kompromisit, 1 milion euro.

“Procesi gjyqësor nuk do të vazhdojë më”, ka thënë një zëdhënësi i gjykatës për mediet austriake.

Në Casino Austria AG nuk japin informata rreth asaj që thuhet në gazetën “Heute” për dëmshpërblimin

Lini një koment