Kalo te lënda

Grubjesic: Mesazhi i KE-së, s’ka ndarje të Kosovës

Nënkryetarja e Qeverisë së Serbisë për integrime evropiane, Suzana Grubjesic konsideron se me formulimin “respektimi i tërësisë tokësore të Kosovës”, Komisioni Evropian (KE) po dëshiron të dërgojë mesazh se nuk ka ndarje të Kosovës, por, sipas saj, “është çuditshme” që këtë edhe nuk e ka shkruar në dokumentin e publikuar”.

Duke folur për Strategjinë e shtrirjes së BE-së, Grubjesic ka thënë për televizionin shtetëror serb RTS, se në atë nuk ka asgjë kontestuese, përpos fjalisë se Serbia lypset ta respektojë tërësinë tokësore të Kosovës, duke nënvizuar se KE me atë dokument me siguri ka dashur të thotë se nuk ka ndarje të Kosovës.

”Vërtetë është e çuditshme që këtë nuk e kanë shkruar. Nuk duhet ta mbështillni diçka në formën e tërësisë tokësore dhe të pritni që këtu të mos ketë reagime, sepse respektimi i tërësisë tokësore të Kosovës nga ana e Serbisë është njësoj si edhe njohja e pavarësisë. Si mund atëherë në fjalinë e radhës ta shkruani se nuk pritni nga Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës”, ka pyetur Grubjesic.

Mirëpo, shefi i delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert në të njëjtin emision të RTS, ka thënë se ai formulim nuk paraqitet për herë të parë, veçse ekziston që nga viti 2005.

”Kjo nuk është e re, dhe nëse kthehemi në vitin 2005, kur ka qenë grupi i kontrollit i bashkësisë ndërkombëtare – BE, SHBA dhe Rusisë, parimet që janë instaluar atëherë veç e kanë përmendur tërësinë tokësore. Në atë rast konsiderojmë se ndarja nuk është zgjidhje të cilën e mbështet bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Degert, transmeton RTK.

Ai ka theksuar se në dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës duhet të nis të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës, por të “respektohet tërësia tokësore e Kosovës dhe nevojat e popullatës lokale”.

Nënkryetarja e qeverisë serbe ka thënë se vazhdimi i dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës tash është në rendin e ditës dhe tani delegacioni i Serbisë është në Bruksel për të biseduar rreth detajeve teknike për zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit.

“Ne jemi të gatshëm dhe kemi thënë disa herë që dialogu duhet të ngrihet në nivelin më të lartë politik, por duhet të dimë rreth çka do të bisedojmë, mirëpo jo mbi atë që ta respektojmë tërësinë tokësore të Kosovës”, ka thënë Grubjesic.

Sipas saj, nuk ka më politikë në dy binarë (edhe BE edhe Kosova) dhe se Kosova është kusht i të gjitha kushteve, e njëherësh duhet të zgjidhen edhe të gjitha çështjet të dorëlidhura për anëtarësim në BE. ”Mendoj se kjo është bërë me mençuri. Duhet ta përgatitni dikë për këtë”,tha Grubjesic.

Lini një koment