Kalo te lënda

Amnistia për 100 vjetorin,përfitojnë 2546 persona

Do të jenë 2546 personat që do të përfitojnë nga dhënia e amnistisë me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Këshilli i Ministrave ka miratuar sot projektligjin “Për dhënie amnistie”. Cilat do të jenë kategoritë që do të përfitojnë në bazë të këtij projektligji?

290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve, 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative dhe 876 persona, të cilët deri në datë 31.08.2012 kanë qenë në hetim për veprat penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë.

Përzgjedhja e kategorive të personave që do të përfitojnë amnisti është bërë duke u bazuar në llojin dhe masën e dënimit, që është deri në dy vjet, kohën e dënimit të mbetur, që është deri në 1 vit, moshën aktuale të personit të dënuar, 55 vjeç për gratë dhe 60 vjeç për burrat si dhe moshën e personit të dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale, që është nën 18 vjeç.

Në fjalën e tij, kryeministri Berisha tha se amnistia merret në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, dhe se qëllimi i këtij projektligji është dhënia e amnistisë, të gjithë personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët apo për kategori të caktuara të personave të dënuar.

Lini një koment