Kalo te lënda

Së shpejti zgjedhjet në PDK

Ministri Blerand Stavileci ka thënë se data për zgjedhjet në PDK do të caktohet pasi të përfundojnë proceset e rëndësishme politike nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, ne do t’i mbajmë zgjedhjet e brendshme partiake në këtë vit dhe organet drejtuese të partisë do ta marrin vendimin përfundimtar për datën e saktë, pasi të përfundojnë proceset e rëndësishme politike nëpër të cilat jemi duke kaluar”, ka thënë zyrtari i lartë i PDK-së, Blerand Stavileci, për “KosovaTimes”.
Për të njëjtat arsye është shtyrë edhe krijimi i Kabinetit të PDK-së për qeverisje të mirë në Prishtinë, që është paralajmëruar nga kjo parti. “Mirëpo, brenda një periudhe disamujore edhe ky kabinet planifikohet që të fillojë punën e tij dhe të ofrojë alternativa të ndryshme rreth zgjidhjes së problemeve që rëndojnë mbi qytetarët e Prishtinës”.
Emri i tij është përmendur në media si kandidat i PDK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës, e cila udhëhiqet nga LDK që nga zgjedhjet e para lokale.
“Për kandidatin e PDK-së për Prishtinën, me kohë do të vendosin organet e partisë, mirëpo ajo që unë mund t’ju them tani është se i gjithë përkushtimi im si qytetar i Prishtinës, i cili me vite të tëra ballafaqohet me problemet e njëjta në kryeqytet, është që të angazhohem sa më shumë, që edhe qytetarët e Prishtinës ta vërejnë dhe ta ndjejnë përkujdesjen e duhur institucionale dhe jo vetëm barrën e politikës, siç e kanë ndjerë dhe siç po e ndjejnë nga udhëheqja aktuale”, ka thënë Stavileci.
Për debatet rreth koalicioneve të mundshme, hyrjes së ndonjë partie opozitare në Qeverinë aktuale, Stavileci thotë se ato më shumë kanë qenë produkt i mediave, të cilat janë marrë me preferencat e personaliteteve të ndryshme që janë pjesë e skenës politike tek ne, sesa që realisht është debatuar për koalicione nëpër forumet partiake.
Stavileci, i cili drejton Ministrinë Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nuk preferon të jap qëndrimin e vet lidhur me ndryshimet eventuale në koalicionin qeveritar. “Kjo është çështje që ju përket subjekteve politike dhe jo e qëndrimeve të individëve në politikë. Qëndrimet tona, cilat do qofshin ato, janë individuale dhe nuk janë shumë të rëndësishme krahasuar me qëndrimet e subjekteve politike në tërësi”, ka thënë ai. /standardi.info

Lini një koment