Kurti, Ahtisarit: Plani juaj po e mban peng Kosovën!
Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti përmes një letre dërguar Presidentit Marti Ahtisari ka shprehur pakënaqësitë e tij pë pakon e nxjerrë për Kosovën nga diplomati finlandez. Kurti i thotë Ahtisarit se Plani i tij do të ishte konceptuar si zgjidhje para pesë vitesh, por sot paraqitet si pengesë, pengesë për sovranitet dhe kufizim për pavarësi të plotë, duke thënë se ky plan po e mban peng Kosovën nga strukturat e Serbisë.
“Plani juaj e mban peng Kosovën nga strukturat e Serbisë. Kjo gjendje e krijuar ia siguron Serbisë vazhdimisht një elitë politike e cila loz me kartën e hegjemonisë, sikur Nikoliçi e Daçiçi. Kurse Kosovës ia garanton brishtësinë dhe dobësinë, si një kafshatë e lehtë për të cilën gjithnjë do të shpresojë Serbia.
Kjo është garanci për pamundësinë e rrugëtimit evropian për Serbinë dhe Kosovë”. “Nëse dikur na e bëtë një dëm, sot na e keni një borxh. Pranojeni se Kosova sot mundet shumë më mirë dhe se ka nevojë të shkojë përtej Planit tuaj. Drejt sovranitetit të kompletuar dhe pavarësisë së plotë. Ku të drejtat e pakicave do të mbroheshin sipas konventave evropiane për këtë punë sikur në vende e zhvilluara të BE-së.
Ndryshe, Plani juaj gjithnjë e më shumë po kthehet në garanci të mungesës së suksesit të shtetit të ri me shumë pengesa në fushën e demokracisë, sovranitetit, sundimit të ligjit dhe integrimeve evropiane”, thuhet në letrën e Kurtit. Më tej në letren e Kurtit thuhet se zgjidhja ndërkombëtare që është aplikuar në Kosovë nuk ka protagonist të vetëm. “Por kemi zgjedhur t’ju shkruajmë ngaqë keni qenë emblema e një procesi të tillë. Prandaj thirrjen tonë ju lusim ta kuptoni si shqetësim të shumë prej qytetarëve të Kosovës dhe një pjese të përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës, zëri i të cilëve nuk u dëgjua kurrë dhe vullneti i të cilëve është shkelë vazhdimisht”. “Vendimi juaj për ta trajtuar Kosovën si një rast të veçantë të shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe përpjekja për zgjidhje që dallon nga ajo e ish republikave, ka pasur dhe do të ketë pasoja negative afatgjatë për Kosovën.
Në vend që popullit të Kosovës t’i njihej e drejta e vetëvendosjes së popujve në kuptimin qytetar dhe territorial, u ndoq formula e cila Kosovës ia pranon shkëputjen nga Serbia, kurse Serbisë ia akomodon maksimalisht interesat e saj brenda Kosovës. Ideja juaj do të qenë që t’i drejtpeshoni sa më shumë interesat, ama kjo rrjedh nga një keqperceptim i thelbit të çështjes së Kosovës – nga konceptimi i Kosovës si problem shqiptaro-serb. Prandaj edhe zgjidhja e ofruar nga ju ka qenë po kështu – zgjidhje shqiptaro-serbe: komuna të reja serbe, eksterritorialiteti i 45 kishave të cilat i definuat si ‘serbe’, pastaj shumica e dyfishtë, që nënkupton pamundësinë e ndryshimeve kushtetuese pa u pajtuar serbët, etj…”. Më tej në letren e Kurtit thuhet se ndoshta logjika e Ahtisarit mund të ketë qenë qëllimmirë, mirëpo, meqë ajo është e padrejtë, si e tillë do të krijojë veçse efekte të padëshirueshme.
“Nëpërmjet zgjidhjes që keni propozuar Serbisë i janë ofruar mundësi të mëdha për ta kontrolluar stabilitetin politik të Kosovës. Ju ndoshta keni menduar se në këtë mënyrë po u ofroni të drejta pakicave e sidomos asaj serbe, por ndoshta nuk e keni ditur se disa prej hapësirave të Kosovës sundohen nga strukturat e paligjshme të Beogradit. Shumica e serbëve në Kosovë ende mbesin peng i politikave destruktive dhe hegjemoniste të Serbisë. Dhe propozimi juaj ka shërbyer në mënyrë të përshtatshme që Beogradi ta përdorë këtë mundësi për ta luftuar efektivisht pavarësinë e Kosovës. Ju i keni shërbyer me zgjidhjet tuaj mitit famëkeq serb për Kosovën si ‘Metohi’ – ‘kombi martir’ i Car Lazarit të cilit iu mor zemra nga osmanët në Betejën e Kosovës dhe të cilën Serbia e ktheu më 1912, zemër kjo të cilën ia mori NATO-ja dhe shqiptarët… Ky ishte miti që e inspiroi Milosheviçin dhe që për ruajtjen e ‘zemrës’ e shtyri atë t’i mbyllte sytë edhe para fakteve e realitetit, dhe ta dëbonte e ta vriste popullin shumicë shqiptar të Kosovës duke bërë gjenocid. Vetëm që ta kthente me dhunë realitetin në përputhje me mitin serb për Kosovën”. Më tej lideri i VV-së i shkruan Presidentit Ahtisari se trajtimi i Kosovës edhe në rrafshin ekonomik, si rast unik i shpërbërjes së Jugosllavisë, ka pasur po ashtu ndikim shumë negativ në vendin tonë. “Statusi i Kosovës si entitet autonom brenda federatës së Jugosllavisë ka qenë i njohur deri në atë masë sa të detyrohemi ta marrim përsipër një pjesë të borxhit të jashtëm të Jugosllavisë.
Ndërkohë që e drejta e Kosovës për ta trashëguar një pjesë të pasurisë së Jugosllavisë, siç janë rezervat e arit, infrastruktura ushtarake dhe ajo diplomatike, asnjëherë nuk u respektua. Ne e trashëguam borxhin e përbashkët pa e trashëguar edhe pasurinë e përbashkët të ish Jugosllavisë. Kjo nuk është e drejtë. Për më tepër, edhe pse Plani yt e thotë se e tërë pasuria e ndërmarrjeve shoqërore brenda Republikës së Kosovës do t’i takojë Kosovës (nen ky që u hoq nga Kushtetuta jonë më 7 shtator 2012), ju pastaj na e imponuat mënyrën se si do të menaxhojmë me këtë pasuri. Plani yt e kërkonte, si qëllim politik, privatizimin e shpejtë dhe të plotë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore, sipas parimeve ekonomike neoliberale. Duke i trajtuar qëndrimet ideologjike si parime universale, Plani yt i ngriti këto qëndrime në kategori kushtetuese. Kjo e pamundësoi çfarëdo konsiderimi demokratik të institucioneve tona për këto politika dhe parime, ose të vlerësimit të mirëfilltë të privatizimit si mjet për zhvillimin ekonomik.
Në vend të kësaj Plani yt e bëri privatizimin një parim të pakundërshtueshëm të qeverisjes ekonomike. Kjo e minon sovranitetin ekonomik të Kosovës dhe po e dëmton mirëqenien tonë ekonomike si dhe perspektivën për gjeneratat e ardhshme”. “Në një intervistë jeni shprehur se zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë e keni trajtuar sikur rastin e një hajni që ia vjedh dikujt kuletën dhe se ju nuk keni bërë gjë tjetër veçse atë që duhej – që t’ia kthenit pronarit të vërtetë kuletën e tij. Në të vërtet, ju mund edhe të mos e dini sepse nuk jetoni në Kosovë dhe me siguri që nuk do të jetoni kurrë, por ne që jetojmë këtu, e shohim për çdo ditë se propozimi juaj për Kosovën prodhon një situatë tjetër – ju ja keni kthyer pronarit kuletën, por me kushtin që ta zbrazni atë nga paratë. Dhe që dikush vazhdimisht t’i fus duart në kuletën tonë. Prandaj kemi filluar ta marrim vesh se një kuletë pa para është kot”, thuhet më tej në letër.
Më tej Kurti i shkruan Ahtisarit se puna e tij për Kosovën nuk ka dhënë rezultatet me të cilat ai ka justifikuar zgjidhjen e ofruar. “Së pari Plani juaj është zbatuar vetëm pjesërisht – vetëm aty ku ka pranuar Beogradi: nëpër enklava po, kurse në veri jo. Kurse tash Kosova ndodhet përpara negociata të reja për veriun në të cilat Pakoja juaj do të hapet. Zgjidhje tjera mund të pasojnë të cilat shkojnë edhe më larg sesa propozimi juaj. Dhe, në fund, mund të përballemi me kohën kur për një pjesë të Kosovës të vlejë propozimi juaj, kurse për veriun një zgjidhje tjetër. Ndërkohë që zgjidhja juaj vazhdimisht është trumbetuar si një ‘kompromis i dhimbshëm’ për integrimin e pakicës serbe si dhe për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës”. “Duke i pasur parasysh të gjitha këto që i përmendëm, e dimë që çdo diplomat mundohet që me fanatizëm t’i mbrojë të gjitha zgjidhjet të cilat i propozon, por do t’ju lusnim që ta rimendonit dhe rivlerësonit dobinë dhe suksesin e planit tuaj për Kosovën. Pyetjet që duhet të shtrohen janë: a e bëri Plani juaj Kosovën më të integruar territorialisht? A e i integroi Pakoja juaj pakicën serbe në Kosovë? A e shpëtoi Pakoja juaj veriun nga kontrolli i Serbisë? Të gjitha këto përgjigje janë negative. Porse të gjitha këto ishin arsyet pse thatë se Plani juaj duhej të pranohej”, thuhet në letren e Kurtit dërguar artikuluesit të Pakos, Presidentit Marti Ahtisari./standardi.info