Arrestohet ditën e dasmës, grabiti 11 mijë eurove
Shtetasi Miklaim Metalia, 29 vjeç, ka qenë duke finalizuar dasmën e tij në një ambient familjar kur agjentët e Policisë së Tiranës kanë mbërritur me një urdhër ndalimi nga Prokuroria. “Duhet të vini me ne në komisariat”, ka qenë urdhri i prerë që efektivat e Policisë i kanë shqiptuar 29-vjeçarit. Ai është prangosur sapo ka hyrë në makinën e policisë, ndërsa në komisariat i është njoftuar akuza e vjedhjes në bashkëpunim, raporton Panorama. Burimet nga Policia e kryeqytetit thanë se zhvillimi i aksionit në ditën e dasmës së 29-vjeçarit është një rastësi. Sipas tyre, finalizimi i provave të mbledhura dhe identifikimi i autorëve përcaktoi edhe kohën e zhvillimit të aksionit. Në grabitjen e ndodhur më 24 gusht mësohet se kanë marrë pjesë edhe shtetasit Dritan Rexhaj dhe Ali Kastrati. Të tre personat janë vënë në pranga në të njëjtin aksion nga Policia e kryeqytetit, në kuadër të arrestimit të autorëve të vjedhjeve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit.