Kryeministri emëron në krye të SHIU-t specialistin e përgjimeve
Tashmë shërbimi i zbulimit të shtetit shqiptar është vënë nën thundrën e Sali Berishës. Pas emërimit të Visho Likës në krye të SHIUT, Kryeministri ka firmosur edhe shkarkimin e kreut të Shërbimit të Ushtrisë, Ylli Zyla. Shqiptarja.com shkruan se kreu i qeverisë pranoi dorëheqjen e Ylli Zylës nga posti i kreut të Shërbimit të Zbulimit Ushtarak.
Ndërsa propozimi për emërimin në këtë post të kolonel Ilirjan Balliut, është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami.
Ilirjan Balliu ka qenë para disa vitesh brenda strukturës së këtij shërbimi dhe ka punuar vetëm tek sektori i përgjimeve dhe kundërzbulimit. Jo vetëm kaq! Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes bëjnë të ditur se Balliu është njeriu që ka qenë pjesë e grupit që kanë negociuar për blerjen e aparaturave speciale të përgjimit telefonik dhe ambiental tek një kompani private, që tregton pajisje të tilla. Balliu është graduar me gradën kolonel nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami jashtë kritereve duke u shkelur procedurat për t’u ngritur në detyrë.