Homazhe në Oslo dhe Sandnes të Norvegjisë për nder të Astrit Deharit
Për nder të bashkaktivistit të ndjerë, heroit Astrit Dehari, i cili humbi jetën në burgun e Prizrenit derisa po mbahej aty megjithëse i pafajshëm, Qendra e Lëvizjes VETËVËVENDOSJE! në Norvegji ka organizuar homazhe me bashkatdhetarët në Oslo të shtunën më 13 nëntor 2016 dhe në Sandnes të dielën më 14 nëntor 2016.
Në homazhet në qytetin e Oslos u bashkuan edhe familjarët e Astritit me vendbanim në Norvegji, dhe poashtu familjarë nga Kumanova.
Homazhet filluan me një minut heshtje, për t’u përcjellë me fjalime nga familjarë dhe bashkaktivistë, për t’u përfunduar me ngushellime në libër të zezë të cilat do t’i dorëzohen Avnisë, Xhemiles, Albanës dhe Artës.
Pjesëmarrja e madhe e bashkatdhetarëve në të dy homazhet dëshmon që vdekja e Astritit na ka prekur të gjithëve. Astrit Dehari la gjurmë edhe në Norvegji, la vepra të cilat do të përcillen. Astriti na bashkoi, forcoi dhe frymëzoi më shumë se kurrë!
Aktivistët e Qendrës së Norvegjisë, së bashku me familjarët dhe bashkatdhetarët në Norvegji, kërkuan drejtësi për Astritin dhe liri për 5 të burgosurit politik që ende mbahen në paraburgim pa asnjë fakt as dëshmi.