Anglia e Australia të gatshme ta sfidojnë Katarin
Anglia do të ishte gati të organizonte Kupën e Botës në 2022-in nëse Katarit do t’i hiqej kjo e drejtë, ka bërë të ditur një politikan anglez.
Procesi i votimit për Kupën e Botës 2018 dhe 2022 po hetohet nga autoritetet zvicerane pasi dyshohet se ka pasur korrupsion. John, Whittingdale, Ministri i Kulturës i Anglisë, ka bërë të ditur se Anglia i ka të gjitha kushtet për të organizuar evenimentin në 2022-in nëse kjo gjë do t’i kërkohet nga FIFA.
Sipas rregullores së FIFA-s Kupa e Botës nuk mund të zhvillohet dy herë radhazi në të njëjtin kontinent.
Dorëheqja e papritur e presidentit të FIFA-s Sepp Blatter të martën e kaluar ka shtuar kërkesat e një rivotimi për Botërorin 2022, nëse do të vërtetohet se procesi i mëparshëm ka qenë i korruptuar. Organizatorët e Katarit kanë mohuar gjithmonë akuzat për korrupsion.
Gjatë një fjalimi të mbajtur sot në parlamentin anglez, Whittingdale ka thënë se: “Nëse FIFA do të na e kërkojë, ne jemi gati për të organizuar botërorin e 2022-it. I kemi të gjitha kushtet e nevojshme”.
Problemi qëndron në faktin se, nëse Katarit i hiqet e drejta për të organizuar Botërorin, zhvillimi i Kupës së Botës 2018 në Rusi e bën të pamundur organizimin e evenimentit në një tjetër vend europian në 2022-in.
Australia, që ka humbur garën me Katarin, ka lënë të kuptohet se është gati të ri-hedhë kandidaturën.
Megjithatë, ministri australian i sportit, Sussan Ley, ka saktësuar se Australia nuk do të pranojë të presë Kupën e Botës deri kur nuk do të ketë ndryshime domethënëse brenda FIFA-s.