Sali Asllanaj Suspendon Shefin e Prokurimit të Komunës
Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, ka suspenduar shefin e prokurimit Bujar Kuqi dhe tre zyrtarë komunalë,
me arsyetimin se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale dhe dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këtë e konfirmoi për KALLXO.com edhe zëdhënësi i komunës, Reshat Reshitaj. Ai tha se katër zyrtarë janë suspenduar me pagesë, pasi ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale.
“Kryetari i komunës ka suspenduar shefin e prokurimit dhe tre zyrtarë komunalë, me arsyetimin se ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale në gjykatën themelore të Prizrenit dhe dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Reshat Reshitaj.
Të suspenduarit janë Bujar Kuqi, shef i prokurimit, Agim Bylykbashi, shef i sektorit të financave, Avni Tafolli, zyrtar i lartë financiar në Drejtorinë e Arsimit dhe Ramadan Kuçi, përgjegjës i punëve administrative.
Bujar Kuqi, shef i Prokurimit Publik në Suharekë, është pjesë e këtij procesi për shkak të nënshkrimit të kontratës nga ane e tij.
“Duke dhënë nënshkrimin e tij më datë 04 tetor 2012, me të cilin ka dokumentuar që kontrata është dhënë në pajtueshmëri me ligjin, Kuqi, akuzohet se ka nënshkruar kontratë me organizatën ekonomike të përzgjedhur e cila nuk ka qenë e përgjegjshme”, thuhet në aktakuzë.
Kuqin aktakuza e ngarkon se duke nënshkruar kontratën me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, ose për organizatën e biznesit, ka shpërdoruar detyrën e tij zyrtare.
Agim Bylykbashi, Avni Tafolli dhe Ramadan Kuqi akuzohen se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik i kanë rekomanduar menaxherit të prokurimit dhënien e kontratës operatorit ekonomik të papërgjegjshëm.
Sipas akuzës së Prokurorisë së Shtetit, Agim Bylykbashi, Ramadan Kuqi dhe Avni Tafolli më 28 shtator 2012 në Suharekë, në dokumentin zyrtar shënojnë informacionin e rremë në cilësinë e anëtarëve të komisionit për vlerësimin e ofertave në lidhje me tenderin ”Hartimi i rregulloreve komunale dhe përshkrimi i vendeve të punës”.
Ata ngarkohen se këtë informacion të rremë për tre operatorë që kishin dorëzuar ofertat e tyre për këtë tender, e vërtetojnë me vlerësimin e tyre dhe nënshkrimin e raportit të vlerësimit.
Raporti i rekomandoi menaxherit të prokurimit dhënien e kontratës organizatës ekonomike të papërgjegjshme Sh.P.K. “New Design” nga Prishtina, edhe pse kjo organizatë nuk kishte staf profesional dhe nuk e cekte në veprimtarinë biznesore ofrimin e shërbimeve juridike për të cilat ishte kontraktuar.
Për këto veprime, tre të pandehurit po akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Siç duket, komuna e Suharekës është njoftuar vonë se ndaj këtyre zyrtarëve është ngritur akuzë, pasi ndaj tyre është duke zhvilluar gjykimin në gjykatën themelore Prizren, dhe gjykimi është drejt fundit, pasi seanca e ardhshme është caktuar me 10 shkurt, ku pritet të administrohet ekspertiza financiare dhe të jepet fjala përfundimtare.