Shahini: S’ka arsye për moszbatim të kontratës kolektive
Kryetari i Aleancës së Bizneseve, që është pjesë e marrëveshjes kolektive ka thënë për Gazetën Tribuna se nuk ka arsye që të mos zbatohet marrëveshja kolektive, por u pajtua me ndryshimet që duhet bërë në Ligjin e punës.
Ai ka theksuar se që në fillim janë marr vesh që duhet të ketë ndryshime në Ligjin e punës.
“Edhe kur e kemi nënshkruar marrëveshjen e kemi nënshkruar me pëlqimin që të ketë ndryshime ligji i punës dhe në kuadër të saj edhe marrëveshja kolektive. Ligji i punës duhet të ndryshojë ne kemi dhënë edhe rekomandime dhe të gjithë Këshilli Ekonomik Social jemi pajtuar që ligji i punës duhet të pësoj ndryshime. Mirëpo assesi nuk mund të jetë pretekst ndryshimi i ligjit që të mos realizohet marrëveshja sepse tash e ka afatin e implementimit”, është shprehur Shahini.
Sipas tij, pezullimi i kësaj marrëveshje është vështir të bëhet për shkak se është nënshkruar nga ish- kryeministri dhe të gjitha palët e interesit.
“Marrëveshja kolektive e cila është nënshkruar me pëlqimin e të gjithë partnerëve e vështir mund të pezullohet për arsye se është nënshkruar nga ish kryeministri me të gjithë partnerët dhe kjo nuk është bërë për qëllime të përfitimeve të dikujt më shumë apo dikujt më pak”, ka thënë Shahini për Gazetën Tribuna. /GazetaTribuna/