Pushtetarëve të rinj po u skadon afati i deklarimit të pasurisë
Shumica e zyrtarëve të rinj qeveritar i kanë edhe dy ditë afat për të deklaruar pasurin e tyre në Agjencinë e Kosovës Kundër Korrupsionit.
Shefi i kësaj agjencie, Hasan Preteni ka thënë për Gazetën Tribuna se, të gjitha ata që nuk e deklarojnë pasurinë e tyre në afat prej 30 ditësh, emrat e tyre do të publikohen dhe më pas do të merret prokuroria me ta.
“Që kur është formuar Qeveria e Kosovës më 9 dhjetor, ne i kemi paralajmëruar zyrtaret e rij se duhet ta bëjnë deklarimin e pasurisë dhe si rezultat ne jemi duke pranuar në baza ditore disa prej formularëve të deklarimit të pasurisë. Ka prej atyre që duhet ta deklarojnë por që nuk e kanë bërë ende këtë gjë”.
Sipas Pretenit të gjithë ata zyrtarë që e shkelin afatin kohor prej 30 ditësh, emrat e tyre do të publikohen dhe do të përcillen në prokurori.
“Ashtu siç kemi bërë edhe më herët, të gjithë ata zyrtar që e shkelin afatin ligjor për deklarimin e pasurisë brenda 30 ditëve prej momentit që emërohet në detyrën zyrtarë, në do ti publikojmë emrat e tyre”, ka thënë Preteni.
Ndërsa për zyrtarët e lartë publik të cilët kanë përfunduar mandatin apo nuk janë në pozita deklaruese, me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë janë të obliguar po ashtu të deklarojnë pasurinë brenda afatit 30 ditor pas mbarimit të mandatit.
“Për zyrtarët të cilët e kanë përfunduar mandatin dhe nuk e deklarojnë pasurinë e tyre do t’i publikojmë emrat e tyre në fillim të muajit shkurt, por edhe të zyrtarëve të rinj të cilët e shkelin këtë afat”, ka thënë Preteni.