Analistët: Kujdes me popullaritetin e Ramës, mund të bëhet i rrezikshëm

fotoPritja triumfaliste e Edi Ramës në Preshevë e Kosovë, por edhe entuziasmi me të cilin u përcoll nga mediat shqiptare deklarata e tij në Beograd,

kanë ngritur shqetësimin e shumë analistëve mbi një keqpërdorim të mundshëm të kredencialeve të larta që mori kryeministri. Komente dhe tituj të mediave që e cilësojnë atë kryeministri i shqiptarëve, lideri i rigjetur, superlativat e Demaçit, Qosjes, etj, po krijojnë një ambient ku dehja nga dallëdia nacionaliste përbën një rrezik të mundshëm. Se si do ta menaxhojë Edi Rama këtë ekzaltim kombëtar, kjo është prova e tij në vazhdim, por ndjeshmëria ndaj këtij rreziku ka bërë që shumë analistë ta shprehin këtë shqetësim. Qoftë në raport me fqinjët, po ashtu edhe politkën e brendshme.

Mustafa Nano, në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, ishte ndër të parët që foli për këtë rrezik. Duke iu referuar deklaratës së Ramës për Kosovën, Nano mendon se kryeministri qëllimisht ka zgjedhur një formë të tillë për ta shprehur. “Rama kishte zgjedhur mënyrën e fortë, arrogante. Ndoshta ka qenë i vetëdijshëm që Vuçiç ka patur dobësitë e veta në performancën publike, sepse Vuçiç reagoi si një politikan i pastërvitur, si fëmijë”, tha Nano duke shtuar se pas kësaj Rama është kthyer me një kredencial të jashtëzakonshëm patriotik.
“Një lider kaq i fortë duhet mbajtur pak në binarë tani, sepse bën vaki që këtë forcë ta shfrytëzojë për tjetër gjë, mund të bëhet dhe i rrezikshëm këtu në Shqipëri… Rama duhet monitoruar një çikë tani”, tha Nano në “Tonight” duke shprehur shqetësimin e tij për euforinë që po vazhdon ende pas vizitës. Madje edhe përballjen e Ramës studentët e gjeologjikut që portestonin përpara kryeministrisë, Nano e shikon si pjesë të kësaj euforie.

Për Artur Zhejin, drejtor i mediave Mapo, vizita e Ramës në Beograd ishte një fitore e merituar gjeopoltike. Por ai nuk harron që pas suksesit të vizitës, të theksojë edhe një shqetësim. Atë që buron nga popullariteti i shfrenuar. “Ky lloj popullariteti dhe me ngjyra të ekzaltuara prodhon jo pak shqetësim tek ata, ku përfshihem edhe unë, që nuk i kanë pasion të veçantë liderët me kaq popullaritet, që i shndërron ata në liderë të dorës së fortë. Tipar i cili, popullariteti me të tepërt pra, frymëzon herët apo vonë, tipare arbitrare në lidershipin që e gëzon atë. Ndoshta Rama do të dijë ta mbajë në fre kalin hamshor të pushtetit, që rend në psikikën e çdo lideri drejt “horizonteve pa kufi”. Dhe këtu mund të fillojë problemi. Apo rreziku i një autoritarizmi”, shkruan Zheji, me një vëmendje të veçantë ndaj këtij rreziku të provuar jo pak herë.

Edhe Baton Haxhiu, që ka mbështetur idenë se Edi Rama duhej të shkonte në Beograd edhe pas incidentit të rëndë në ndeshjen e futbollit, mendon se pas kësaj vizite rreziku që Edi Rama të rrëshkasë në populizëm është konkret. Në një editorial për lapsi.al, Haxhiu shkruan:”Një gjë duket e sigurt, shqiptarët fituan një lider kombëtar, siç zakonisht e kërkojnë, por, nuk e di, nëse më këtë që ndodhi do arrijnë ta ruajnë liderin me ide evropiane. Sfida për këtë dilemë i takon vetë Ramës. Nëse Kryeministri Rama lejon që “incidenti” diplomatik në Beograd të shënojë fillimin e rrëshqitjes drejt një populizmi, që sado që në fillim mund të duket atraktiv me kalimin e kohës domosdo që rrezikon të marrë nuanca irracionale”.

Duke iu drejtuar në vetë të parë kryeministrit Rama, Baton Haxhiu shpreh hapur shqetësimin e tij. “Populizmi do të zbresë në nivele të poshtme të shoqërisë, do të kthehet në ushqim shpirtëror për masa dhe më pas do të ketë një ndikim të madh mbi vetë politikën. Mos harro se ata që të bënë tradhëtar para se të udhëtoje në Beograd, të bënë baba të kombit sapo u ktheve nga atje. Të njëjtit mund të të rrënojnë dhe të të vrasin po s’iu pëlqeve atyre. Mos u bej si ata se nuk të duhet. Qendro si Edi Rama. Nuk më duhesh si Baba i kombit”, përfundon Haxhiu.
I takon kryeministrit Rama t’i shënojë ose jo këto shqetësime. Nëse do të vendosë të jetë i kujdesshëm për të mos e keqpërdorur fuqinë e momentit. Tërheqja nga xhamadani vija- vija ndonjëherë është më e fortë se bashkëjetesa me kostumin perëndimor. /lapsi.al/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: