Selfie i kushton studentes me jetë
Sylwia Rajchel (23), studente polake, vdiq pasi ra nga ura duke bërë selfie.
Në urën e famshme “Puente de Triana” në Sevile të Spanjës, ajo u mbështet përgjatë kangjellave që të pozojë sa më mirë për një fotografi, por rrëshqiti dhe ra nga një lartësi prej 15 metrash.
Policia spanjolle njoftoi se Sylwia Rajchel ishte në kangjellat e urës në mbrëmje, ndërsa gjatë rënies ka goditur bazën e një prej shtyllave të betonit, transmeton Telegrafi.
Ajo ka studiuar në Fakultetin e Mjekësisë në jug të Polonisë dhe mësonte gjuhën spanjolle pasi planifikonte që të zhvendosej në jug të Evropës pas diplomimit.
“E mësonte gjuhën spanjolle dhe shpresonte të gjente një punë atje”, tha nëna e Sylwias, Bernardeta. “Ajo ishte e bukur, vajzë e qeshur para së cilës ishte një jetë”.
Ndihma e shpejtë ka qenë në gjendje të reagoj shpejtë te Sylwia, e cila ishte në gjendje kritike pasi u dërgua në spital.
Për fat të keq, vajza vdiq nga plagët e marra, ndërsa babai i saj udhëtoi për në Spanjë që të marrë trupin e saj.
Puente de Triana është vend turistik në Sevila, ndërsa ura është ndërtuar në mesin e shekullit të XIX dhe është e rrethuar nga shumë bare, restorante dhe klube nate.