Ministri serb për punë, punësim dhe mirëqenie sociale, Aleksandar Vulin, sot (e diel) do ta vizitojë Mitrovicën Verior “ku do t’i vizitojë institucionet e caktuara” dhe do ta pranojë mirënjohjen si qytetar nderi i kësaj komune.
Vulin paraprakisht do ta inaugurojë Qendrën për punë sociale në Mitrovicën Veriore, e më pas do të vizitojë përfituesit e ndihmës sociale, raporton Tanjug, transmeton Indeksonline.
“Vulin do të takohet me kryetarin e përkoheshëm të Mitrovicës, Aleksandar Spiriq, kreun e rrethit të Mitrovicës së Kosovës, Vasa Jeliq dhe drejtorin e Qendrës për punë sociale, zyra në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe për punë sociale.
Nuk dihet nëse mirënjohjen si qytetar nderi të Mitrovicës Veriore do t’ia ndajë kryetari legjitim i kësaj komune, Goran Rakiq, apo ai i komunës paralele, Aleksandar Spiriq.
Me njoftimin e ministrisë serbe, u konfirmuar edhe një herë se Serbia ende i mban të “gjalla” institucionet paralele në Kosovë, megjithë zotimin se ato tashmë i ka shuar.
Aleksandar Vulin para se të jetë ministër, ishte shef i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, derisa mbahet mend për provokimet e tij sa herë që ka ardhur në Kosovë, si dhe hyrjen në veri me uniformë paraushtarake serbe. /Indeksonline/
Lini një Përgjigje