Kurti për Qeveri 2+2
Në vazhdën e takimeve me qytetarë dhe diskutimet me ta për zgjidhjen më të mirë të mundshme për daljen nga situata e krijuar në Kosovë, Lëvizja vetëvendosje ka takuar sot edhe studentët.
Në një takim diskutimi të mbajtur me studentë, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka folur për, siç e quan ai, kapjen e shtetit që po bëhet nga partia në pushtet.
Në një njoftim për media, rreth kësaj ngjarje, Kurti citohet të ketë thënë se PDK si pakicë parlamentare tani i ka vënë në lëvizje tre persona: Flora Brovinën, Enver Hasanin dhe Atifete Jahjagën.
“Janë këta tre persona të cilët pamundësimin që ia kemi bërë ne PDK-së që ta ripërtërijë regjimin e vjetër me një Qeveri të re, në të njëjtën kohë e kanë shndërruar në një bllokim të shumicës parlamentare që të mos lejohet që ne ta konstituojmë Kuvendin e më pas ta formojmë edhe Qeverinë e re”, ka thënë Kurti.
Duke folur për PDK-në, si një parti-shtet, Kurti ka thënë më tutje, se kjo parti përveç të tjerave e ka keqkuptuar edhe idenë e zgjedhjeve demokratike.
“Zgjedhjet demokratike nuk janë garë sportive mbi atë se kush doli i pari siç mendon PDK. Shumica e tërësisë shënon rezultatin legjitim. Por, PDK-ja nuk e konsideron tërësinë – popullin dhe republikën, por veten – partinë me farefis”, citohet të jetë shprehur Kurti.
Ai më tej, sipas njoftimit të VV-së, ka shpjeguar para të pranishmëve marrëveshjen e arritur me LDK-në, AAK-në dhe NISMA-n më 10 shtator, duke e shtjelluar në detaje secilën pikë të saj.
“Për çështjet themelore si puna e privatizimeve neoliberale dhe negociatave me Serbinë, jo vetëm në Kosovën e pasluftës por realisht edhe në atë të pas pavarësisë nuk ka pasur fare qeveri. Privatizimi dhe negociatat kanë qenë përherë të paqeverisshme. Ato kanë qeverisur me shtetin dhe qeverinë. Marrëveshja jonë e 10 shtatorit e ndryshon këtë”, ka theksuar Kurti.
Sipas njoftimit, edhe studentët e pranishëm në këtë tubim kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen aktuale në Kosovë, dhe kanë dhënë komente të ndryshme lidhur me atë se si do të mund të dilej nga kjo situatë.
Gjithmonë sipas njoftimit, njëri nga studentët i është drejtuar Albin Kurtit, me pyetjen, se: nëse Vetëvendosje dhe LAN e kanë konsideruar ndonjëherë mundësinë që ta lejojnë PDK-në në postin e Kryeparlamentarit.
E sa i përket kësaj, Kurti ka thënë se PDK nuk është e interesuar për kryeparlamentarin.
“Ne besojmë që shumica duhet t””i formojë institucionet. Mendoj që PDK nuk është e interesuar për kryeparlamentarin. Janë të interesuar ta mbajnë qeverinë, siç e tha edhe vetë Bajram Rexhepi. Ata nuk ngopen me kryeparlamentarin. Ata duan marrëveshje paketë. Flora Brovina kur e ka shtyrë seancën, ende pa u bërë 24 orë e ka thënë shumë qartë që pa marrëveshje të liderëve nuk thërret seancë. Pra, PDK nuk do marrëveshje për kryeparlamentarin, por për të gjitha. Duan marrëveshje totale!”, ka thënë Kurti.
Lidhur me termin e shumpërdorur kohëve të fundit “ngërç institucional”, që u ngrit si çështje edhe nga njëri prej studentëve të pranishëm, Kurti tha se këtu nuk bëhet fjalë për ngërç institucional, por për shtet të kapur.
“Kosova është shtet i kapur. Pra, ka kapje të shtetit. Ky shtet duhet të ç’kapet, por nuk e bën këtë askush përveç nesh. Nuk na e zgjidh këtë problem askush. Është problem i pastër i brendshëm i qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet të ketë thënë ndër të tjera Kurti.
Në njoftim thuhet po ashtu se studentëve iu interesonte ta dinin edhe atë se nëse formohet qeveria e re sipas marrëveshjes së 10 shtatorit, a do të ketë ndryshim në Kosovë dhe a do të ketë sukses ajo qeveri?
E lidhur me këtë çështje, Kurti, ka thënë se në këtë bashkëpunim ata kanë dallime në të tashmen, probleme nga e kaluara, por Kurti ka thënë se VV është e orientuar në të ardhmen, me një qeveri emergjente e cila sipas tij, më së miri do të ishte 2 vjet plus 2 vjet.
“Kjo nuk është Qeveri e stabilitetit, por Qeveri e ndryshimit të kursit të shtetit. Po iu përmbajtëm marrëveshjes së 10 shtatorit, natyrisht që do të ketë progres”, tha ai./standardi.eu