Vllahiu: Nuk do të ketë zgjidhje nga zarfi

562X315812221_20141011085801423620Arbër Vllahiu, ka bërë me dije se shefja e shtetit do ta vazhdojë procesin e lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike derisa të arrihet zgjidhja për formimin e institucioneve të reja.

 

“Presidentja Jahjaga ka nisur këtë proces të lehtësimit të diskutimeve me liderët dhe ai do të vazhdojë derisa nuk arrihet një pajtim për zgjidhjen e impasit të krijuar”, ka thënë këshilltari politik i presidentes Atifete Jahjaga, Arbër Vllahiu, në një intervistë për “Epokën e re”.

 

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që procesi mos të degradojë. “E rëndësishme është që procesi të mbahet në tavolinën e diskutimeve në zyrën e presidentes dhe të mos degradojë, por të kërkohet një mundësi që të gjendet rrugëdalja duke respektuar këtë kuadër kushtetues dhe ligjore dhe duke respektuar edhe institucionet e vendit të ndërtuara me aq mund dhe aq sakrificë”, ka thënë Vllahiu.

 

Ai ka siguruar se nuk do të ketë imponime në zgjidhjen e kësaj situate. “Procesi është tërësisht proces i Kosovës dhe tërësisht në duart e institucioneve dhe të vet liderëve të partive politike parlamentare si dhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht vlerësimeve e cilësimeve të sotme për zgjedhjet si demokratike e të drejta dhe të ndershme, vazhdimi i moszgjidhjes së nyjës së krijimit të institucioneve të vendit po e zbeh edhe procesin zgjedhor. Duhet të kuptohet se imponime nuk do të ketë. Nuk do të ketë as zgjidhje nga jashtë. Nuk do të ketë as zgjidhje jokushtetuese”, është shprehur Vllahiu.

 

Ai ka deklaruar se Jahjaga beson se liderët do ta gjejnë vullnetin dhe guximin për formimin e institucioneve. “Presidentja Jahjaga beson se këta liderë, që në të kaluarën kanë gjetur forcën e kurajën që të punojnë së bashku, në periudha edhe më të rënda e më sfiduese, drejt shtet ndërtimit të Kosovës, do ta gjejnë vullnetin dhe guximin të ecin shumë shpejt drejt ndërtimit të institucioneve të qëndrueshme”, ka thënë Vllahiu. Në këtë kontekst, Vllahiu ka thënë se zgjidhja nuk mund të kërkohet në pafundësi. “Liderët politikë kanë përgjegjësi për ta gjetur zgjidhjen sa më shpejt, bazuar në kuadrin kushtetues, prandaj është e kuptueshme se zgjidhja është në duart e tyre, të institucioneve të Kosovës dhe në duart e deputetëve”, është shprehur Vllahiu.

 

Vllahiu ka thënë se për shkak të kësaj situate të krijuar politike vendi është në një fazë kritike. “Ne jemi në një fazë kritike kur, përveçse po rrezikojmë të futemi jo në një krizë institucionale e politike, por në një krizë edhe më të thellë buxhetore dhe financiare, gjithashtu kur po e rrezikojmë edhe bashkëpunimin me faktorin ndërkombëtar dhe kur po i sfidojmë proceset e ndërlidhura me këtë faktor. Mos të harrojmë se Kosova në kohën e fundit është bërë partner i rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e sigurisë dhe nuk mund ta vëmë në dyshim këtë për shkak të pamundësisë sonë për t’i krijuar institucionet.

 

Gjithashtu, kemi krijuar me shumë mund një proces të rëndësishëm e kredibil të integrimeve euroatlantike dhe nuk mund ta humbasim hapin tonë. Ne duhet ta mbajmë momentin dhe të punojmë më shumë për t’i avancuar proceset tona në raport edhe me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht duke iu përgjigjur qytetarëve tanë, që kanë mbetur të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor pa mundësinë e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për reforma të thella në shoqëri që do të përmirësojë dhe ngrit nivelin e jetesës së qytetarëve tanë”, ka thënë Vllahiu.

 

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: