Revoltohet Milazim Krasniqi: Kosova po poshtërohet nga njerëzit e vet
Profesori i UP-së, dhe analisti politik, Milazaim Krasniqi, është shprehur i revoltuar, duke thënë se njerëzit në vendin tonë e kanë humbur humanizmin dhe dashurinë për vendin.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi thotë se Kosova po dominohet nga siç ka thënë ai profiterë të harbuar, që po paralizojnë institucionet.
Ja dhe shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
A është e mundur që tashmë kanë vdekur të gjithë njerëzit që e kanë dashur këtë vend?! Ku kanë mbetur gjithë ata aktivistë politikë, që punonin natë e ditë përballë rrezikut nga pushtuesi, ku kanë mbetur gjithë ata mjekë që shkrinin veten në ndihmë të të sëmurëve, ku kanë mbetur gjithë ata mësimdhënës, që punonin edhe nëpër garazha për ta mbajtur në këmbë shkollën shqipe, ku kanë mbetur gjithë ata bamirës që ndihmonin të varfërit anekënd Kosovës? Nga i erdhi vendit kjo murtajë e re e profiterëve të harbuar, që paralizojnë institucionet, bëjnë tregti me shëndetin e njerëzve, shesin nota dhe ia marrin fukarasë edhe frymën? Kosova e poshtëruar aq keq nga pushtuesi, nuk e ka merituar këtë poshtërim të ri nga njerëzit e vet./Indeksonline/