Shkon për t’u operuar 20-vjeçarja ngacmohet seksualisht nga mjeku
Një 20-vjeçare me iniciale A. B. banuese në fshatin Duhanas të rrethit të Beratit, ka denoncuar mjekun për ngacmim seksual.
Mendohet se ngjarja ka ndodhur në kohën kur 20-vjeçarja ka qenë e shtruar në spitalin e qytetit të Beratit ku është operuar për apendicit. Sipas vajzës mjeku 51-vjeçar, Artan Sulo e kish ngacmuar seksualisht gjatë kohës kur ajo kurohej.
Burime nga policia bëjnë të ditur se 20-vjecarja është operuar rreth një javë më parë, por lajmi është bërë i ditur vetëm gjatë ditës së djeshme, kur ai ka dalë para trupit gjykues. Pas denoncimit nga 20-vjeçarja, policia ka arrestuar në flagrancë mjekun Artan Sulo, për veprën penale “Ngacmim seksual”.
Ditën e djeshme, trupi gjykues pasi ka dëgjuar akuzën dhe avokatin e mjekut 51-vjeçar, ka vendosur ndaj këtij të fundit masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Kirurgu Artan Sulo nuk i ka pranuar akuzat e pacientes së tij, duke u shprehur se gjithçka është e sajuar nga 20-vjeçarja. Prokuroria e Beratit, së bashku me policinë po vazhdon hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.