Bashkëpërgjegjësi për dështimin e seancave
Përgjegjësia për zvarritjen e formimit të institucioneve bie mbi subjektet politike, por edhe mbi presidenten, Atifete Jahjaga. Të paktën kështu mendojnë analistët politikë.
Subjektet politike, sipas tyre, janë barrikaduar në qëndrimet e tyre dhe asnjëra palë nuk po lëshon pe. Për analistin politik Fisnik Korenica, nëse edhe në seancën e radhës ka ripërsëritje të skenarëve të mëhershëm, atëherë dikush të marrë përgjegjësinë për dështime.
Kjo për faktin, se kështu praktikisht po pamundësohet funksionimi i organit i cili përfaqëson zërin e qytetarëve. Ai beson se presidentja Jahaga do të duhej të jepte një skenar me të cilin ndërpritet kriza aktuale që e ka kapluar Kuvendin. Nëse, sipas tij, nuk funksionon skenari i presidentes, atëherë partitë politike duhet të gjejnë konsensus të përbashkët për të shkuar në zgjedhje.
“Përndryshe mendoj se për situatën e krijuar përgjegjësi bartin të gjitha partitë politike, por përgjegjësi ka edhe presidentja Jahjaga, e cila po intervenon shumë vonë. Intervenimi i tillë po bëhet thjesht me propozim, me një sistem të konsultimit në të cilin nuk ka asgjë substanciale që do të mund ta zgjidhte kryetarin e Kuvendit”.((tribuna)