Jahjaga pret propozime nga liderët
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare, ka përsëritur sot qëndrimin për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes për krijimin e institucioneve të vendit, me qëllim të përmbushjes së pritjeve të qytetarëve për institucione të qëndrueshme.
Siç njofton Presidenca, Jahjaga ka thënë se Kuvendi është institucion autonom dhe deputetët e liderët politikë, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Kushtetutës së vendit, duhet të gjejnë mënyrat për të mundësuar krijimin e institucioneve të vendit.
Presidentja Jahjaga po ashtu ka thënë se liderët politikë duhet të ofrojnë propozimet dhe sugjerimet e tyre për gjetjen e zgjidhjes, konform kuadrit kushtetues, që në rast të përafrimit të tyre do të ndihmonte edhe në mbajtjen e një takimi të përbashkët ndërmjet tyre.