Arrestohet një falsifikator dokumentesh
Për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, “Falsifikim i Dokumentit dhe Legalizim i Përmbajtjes së Rreme”, policë të Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, kanë arrestuar të dyshuarin Tihomir S. 31 vj. nga Shtërpca.
Bëhet e ditur se arrestimi ka pasuar një hetim të gjatë mbi gjashtë muaj të hetuesve të Njësisë së Auto-Krimeve të Rajonit të Ferizajt dhe pas intervistimit të dhjetëra dëshmitarëve nga Shtërpca dhe rrethina, të cilët ishin involvuar në blerjen e Librazeve të Qarkullimit të Serbisë (të falsifikuara), për të cilat shërbime, i dyshuari u merrte shuma të konsiderueshme të parave.
“Ekziston dyshimi i bazuar se, veprimet inkriminuese i dyshuari i ka bërë deri sa punonte si menaxher në Qendrën e Kontrollit Teknik, “Tandems” në Brezovicë dhe deri sa punonte si agjent i sigurimeve në Kompaninë e Sigurimeve “Sigkoss”” ka thënë zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi.
Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelorë të Ferizajt, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.