6+ do ta votojë Arsim Bajramin
Përfaqësuesi i Grupit 6+, Mahir Yagcilar, thotë se janë të gatshëm të votojnë kandidatin e PDK’së për Kryetar të Kuvendit, të enjten kur do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.
Yagcilar këto komente i bëri pas takimit me Presidenten Jahjaga, e cila po vazhdon takimet me liderët politikë në kërkim të gjetjes së një formule për zhbllokimin e ngërçit institucional.
“Gjithmonë vota jonë ka qenë për krijimin e institucioneve në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jemi të gatshëm ta japim votën për PDK-në dhe për çdo zgjidhje në përputhje me aktgjykimin e kësaj gjykate”, është shprehur Yagcilar.
Yagcilar është pyetur nga gazetarët nëse në këtë takim me presidenten është folur edhe për kandidatin për kryeministër, ai ka thënë se njëherë duhet të funksionalizohet Kuvendi dhe pastaj qeveria.