Hoxhaj drekë lamtumirëse për shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shtruar të premten një drekë për nder të përfundimit të misionit në Kosovë nga shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt.
Në drekën e shtruar për nder të Borchardt, ku morën pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, të shteteve të Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe Holandës, ministri Hoxhaj vlerësoi lartë angazhimin dhe kontributin e tij për proceset në Kosovë.
Hoxhaj foli për bashkëpunimin e afërt me Borchardt, duke e quajtur atë mik të tij dhe të shtetit e të qytetarëve të Kosovës.
Ministri Hoxhaj tha se shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, me punën dhe angazhimin e tij është bërë pjesë aktive e progresit që është arritur në Kosovë.
Në shenjë falënderimi për punën në Kosovë, Hoxhaj i ka dhënë Borchardt një dhuratë simbolike, figurën e Nënës Terezë.
Shefi i Misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, falënderoi ministrin Hoxhaj për nderimin dhe bashkëpunimin e ofruar gjatë misionit të tij në Kosovë.